Jusuf Ulaj (djathtas) dhe Mirsad Shkreta.

Mjeku kosovar për vaksinat nga Serbia: Kujt i teket hyn e del nga Kosova si në bahçe të babës

Serbët në veri të Kosovës nga sot kanë filluar të marrin vaksinën kundër COVID-19 të kompanive Pfzer/BioNTech, pasi e njëjta vaksinë ka arritur para disa ditëve në Serbi.

Fillimin e vaksinimit të serbëve në Kosovë e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është per personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Në lidhje me këtë ka reaguar ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, neuropsikiatri Jusuf Ulaj duke e quajtur këtë njollosje dhe përdhosje.

“Sot Vuçiqi paska filluar vakcinimin për Covid-19 në Leposaviq pa informimin paraprak të institucioneve të shtetit të Kosovës. Çka është edhe më keq, nuk ka asnjë reagim të personave përgjegjës të qeverisë aktuale – ku janë institucionalistët Hoti, Veliu, Zemaj? Kush i ka kontrolluar ato vakcina dhe kush merr përgjegjësinë për kualitetin e tyre dhe pasojat eventuale për shëndetin e atyre qytetarëve të Kosovës”, thuhet në postimin e Ulajt.

Ai postimin e tij e ka përfunduar duke thënë “A jemi shtet i pavarur apo kujt t’i teket hynë e del si në bahçe të babës”.

KALLXO.com ka raportuar sot se kabineti i kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.

KALLXO.com ka biseduar me Antigona Baxhakun, nga kabineti i qeverisë Hoti, por e njëjta ka thënë se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk mund të them asgjë sepse unë nuk kam informacion”, tha Baxhaku.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me këtë rast por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Kabineti i Hotit i painformuar për nisjen e vaksinimit nga Serbia në veri të Kosovës