Kabineti i Hotit i painformuar për nisjen e vaksinimit nga Serbia në veri të Kosovës

Serbët në veri të Kosovës nga sot kanë filluar të marrin vaksinën kundër COVID-19 të kompanive Pfzer/BioNTech, pasi e njëjta vaksinë ka arritur para disa ditëve në Serbi.

Fillimin e vaksinimit të serbëve në Kosovë e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është per personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Por kabineti i kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.

KALLXO.com ka biseduar me Antigona Baxhakun, nga kabineti i qeverisë Hoti, por e njëjta ka thënë se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk mund të them asgjë sepse unë nuk kam informacion”, tha Baxhaku.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me këtë rast por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë.

Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, raporton edhe për rastet me COVID-19 nëpër komunat me shumicë serbe.

Sot në Kosovë janë regjistruar 249 raste të reja me COVID-19.

Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të Kosovës