Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tri vaksina të reja i shtohen kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë

Që nga dje, qytetarët e Kosovës mund të marrin edhe tri vaksina të reja për mbrojtjen e shëndetit të tyre.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se vaksina HPV kundër kancerit të qafës së mitrës, vaksina kundër rotavirusit dhe vaksina kundër pneumokokut e meningjitit i janë shtuar kalendarit të rregullt të imunizimit.

“Plani i Veprimit për Vaksinim 2022-2025 i Ministrisë së Shëndetësisë ka paraparë zgjerimin e Kalendarit të vaksinimit me këto tre vaksina si një intervenim i drejtpërdrejt për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe vdekshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës; infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të Pneumokokut” – tha ministri Arben Vitia në lansimin e sotëm të këtyre vaksinave.

Ministria thotë se shtimi i tri vaksinave të reja në kalendar vjen për herë të parë pas një dekade.

Synimi tjetër i rëndësishëm, sipas Ministrisë, është rritja e shkallës së vaksinimit te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët kanë shkallë më të ulët të vaksinimit krahasuar me komunitetet e tjera, që siç thotë MSH, është për shkak të faktorëve të ndryshëm shëndetësorë, arsimorë, mjedisorë e socialë.

Vitia tregoi se përdorimi i tri vaksinave të reja është bërë bazuar në rekomandimet e organizatave kredibile si Organizata Botërore e Shëndetësisë, CDC, ECDC dhe se dëshmitë shkencore flasin qartë për efikasitetin dhe sigurinë e tyre.

Ai falënderoi OBSH-në, UNICEF-in, USAID-in dhe shtetet mike të cilat tha se e ndihmuan fuqishëm këtë proces.