Ministrja Hajdari pritet të dalë para gjyqit për rastin e aksidentit

Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, pritet të dalë sot para gjykatës lidhur me rastin e aksidentit ku ishte goditur një fëmijë.

Gjykata, në një shqyrtim të mëparshëm më datën 08 dhjetor 2022, ka vendosur të caktojë një grup ekspertësh për të zhvilluar një super ekspertizë, pasi ekspertiza e paraqitur në gjykatë dhe ajo e prezantuar nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të pajtueshme.

Ky vendim u mor pasi avokati i ministres Rozeta Hajdari, avokati Shemdi Bunjaku, propozoi që të zhvillohej një ekspertizë shtesë nga një grup ekspertësh, me qëllim që të verifikohej gjendja faktike reale e ngjarjes.

Në të njëjtin kontekst, mbrojtësi i të dëmtuarës, Florim Shefqeti, shprehu që ekspertiza e propozuar nga pala e pandehur ishte e ndryshme nga ajo që ishte prezantuar dhe kërkoi që të mos konsiderohej e njëjtë.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, në veçanti nga njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur më datën 10 prill 2022, në orën 12:25, në lagjen Arbëria të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua.

Ministrja Hajdari është ngarkuar me akuza për mospërshtatje të shpejtësisë dhe për aksident në komunikacion me lëndime trupore të përfshira.

 

Gjykimi ndaj Rozeta Hajdarit për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, Gjykata vendos për super-ekspertizë