Gjykimi ndaj Rozeta Hajdarit për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, Gjykata vendos për super-ekspertizë

 

Gjykata e Prishtinës ka vendosur sot për super-ekspertizë në rastin e gjykimit ndaj ministres së Tregtisë Rozeta Hajdari.

Gjykata mori vendim që të caktohet një grup ekspertësh që të dalin me një super ekspertizë pasi që ekspertiza e nxjerrë si provë nga ana e gjykatës dhe ekspertiza e paraqitur nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të përafërta.

Sipas gjykatës ekspertiza e ekspertit të ftuar nga gjykata, Bajram Latifi dhe ekspertiza e ekspertit të ftuar nga pala e pandehur, Visar Baxhakut, kanë ndryshime dhe nuk janë të përafërta sa i përket përfundimit të tyre.

Pas këtij konstatimi nga ana e gjykatës u vendos që të bëhet një super ekspertizë nga ekspertë të tjerë  nga Fakultetit Teknik i Universitetit të Prishtinës.

“Gjykata konstaton se pasi që nga përfaqësuesi i të pandehurës është sjellë një ekspertizë e aksidentit të trafikut rrugor…, pas vlerësimit të saj edhe ekspertizës së nxjerrë si provë nga ana e gjykatës, gjykata konstaton se në këto dy ekspertiza ka ndryshime dhe nuk janë të përafërta sa i përket përfundimit. Andaj gjykata do të kërkon mendim nga ekspert të tjerë dhe atë nga Fakulteti Teknik i UP-së që lidhur me aksidentin e ndodhur më datë 10.4.2022 të nxirret provë me super ekspertizë”- tha gjyqtarja e rastit.

Gjykata doli me këtë vendim pas propozimit të avokatit të të pandehurës Rozeta Hajdari, av.Shemdi Bunjaku që të përgatitet një ekspertizë tjetër nga një grup ekspertësh me qëllim që të vërtetohet gjendja faktike reale, si dhe pas deklarimit të mbrojtësit të përfaqësueses ligjor të të dëmtuarës, Florim Shefqeti se lidhur me ekspertizën e nxjerrë nga eksperti i propozuar nga pala e pandehur tha që nuk mund të deklarohet për të njëjtën ekspertizë pasi që e njëjta i ishte dorëzuar sot.

“Lidhur me ekspertizën e nxjerrë sipas urdhëresës së gjykatës ne i kemi disa pyetje për ekspertin dhe varësisht prej përgjigjeve ne do të deklarohemi lidhur me vërejtjet ose jo lidhur me këtë ekspertizë, lidhur me ekspertizën e nxjerrë sipas kërkesës së të pandehurës meqë e njëjta na është dërguar sot nuk mund te deklarohemi për të njëjtën”- tha Shefqeti.

Blerim Latifaj në cilësinë e ekspertit të komunikacionit, në ekspertizën e tij tha që ministrja Hajdari ashtu siç shihet edhe në video incizim para kontaktit me këmbësoren ka filluar të reagoj me frenim dhe ka frenuar.

I njëjti tutje tha që anashkalimi që kishte bërë shoferja në vendin dhe rrethanat e ndodhjes së aksidentit ka qenë veprim i lejuar, mirëpo me kujdes të shtuar, por i njëjti anashkalim ishte i pasigurt.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari ishte bërë nga stacionin policor më saktësisht nga njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor. Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur në lagjen Arbëria të Prishtinës më datën 10 prill 2022 në orën 12:25 ku ishte aksidentuar një vajzë e mitur.

Me të njëjtën kërkesë ministria Hajdari ngarkohet për mospërshtatje të shpejtësisë si dhe për aksident në komunikacion me lëndime trupore.