Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë: Nuk kemi pasur kërkesë zyrtare deri sot nga Pacolli

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me pretendimet e kreytarit të AKR-së dhe deputetit, Behgjet Pacolli, se atij nuk i’u lejua kthimi me aeroplan nga Zvicra në Kosovë.

Ministria tha se deri sot nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga Pacolli.

“Nga mediat u njoftuam me ankesat e Kryetarit të AKR dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e z. Pacolli”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu kanë theksuar se masat e njëjta do aplikohen edhe ndaj Pacollit nëse kthehet në Kosovë, pra karantinim prej 14 ditësh në konvikte.

“Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Ata kanë shtuar se nuk janë të njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

“Reagime të këtij lloji përçojmë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve”, përfundon reagimi i tyre.

Sot, Pacolli anulimin e lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës e ka quajtur privim i të drejtës për të lëvizur.

Minuta më parë, Pacolli u deklarua se mënyrë primitive dhe diktatoriale po pengohet kthimi, pasi që Qeveria dje deklaroi se Pacolli si çdo qytetar tjetër duhet të futet në karantinë për 14 ditë në konvikte.

Pacolli ka deklaruar se nën asistencë shëndetësore për dy muaj ai me familjen e tij janë në karantinë në shtetin zviceran.

Ai thotë se dëshiron që të kthehet në mënyrë që ta vazhdojë veprimtarinë e tij parlamentare në kohën kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia deklaroi se Pacolli duhet të futet në karantinë për 14 ditë pas kthimit në Kosovë, ashtu sikurse çdo qytetar tjetër në Qendrën e Studenteve në kryeqytet. Gjithashtu edhe Ministria e Infrastrukturës, dje i kishte dhënë lejen që Pacolli të kthehet në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Pacolli: Qeveria për të cilën e votova kundër rrëzimit po më pengon të kthehem në Kosovë

www.kallxo.com