
Behgjet Pacolli I Foto: MPJ
Ministri Arben Vitia deklarohet nëse Pacolli duhet të futet në karantinë pas kthimit në Kosovë
Sot gjatë ditës mediat raportuan se ish-kryediplomati kosovar dhe i pari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli mund të kthehet në Kosovë nga shteti i Zvicrës.
Kthimi i tij në vendlindje vjen në ditët kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.
Por, a duhet që Pacolli t’i respektoj vendimet e Instituti Kosovar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që pasi të hyjë në Kosovë të vendoset në karantinë për 14 ditë, siç bëjnë të gjithë ata që vijnë nga vendet jashtë Kosovës?
Për këtë ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, ka thënë se nuk i takon atij që të përcaktojë përjashtime.
“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve. Shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha. Andaj, që në fillim të shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë, në koordinim të plotë me të gjitha ministritë e linjës, janë përcaktuar rregullat bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Arben Vitia.
“Këto rregulla janë publike. Ato janë zbatuar për të gjithë njëjtë dhe nuk më takon mua si ministër t’i përcaktojë përjashtimet nga këto rregulla”, tha ai.
“Natyrisht, e siguroj secilin qytetar të Republikës së Kosovës se ne si Ministri e Shëndetësisë do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve tanë.”, bën të ditur ministri në detyrë, Arben Vitia.
KALLXO.com ka provuar të marr përgjigje nga partia e Behgjet Pacollit rreth ardhjes së tij në Kosovë dhe përkrahjes së koalicionit me LDK-në, por ata nuk janë përgjigjur thirrjeve.
Qeveria e Kosovës është rrëzuar më 25 mars me një mocion mosbesimi të inicuar nga LDK, partneri qeverisës i LVV-së.
Deri më tani, një emër si mandatar të ri në presidencë nuk e ka dërguar partia e Albin Kurti, ndërsa presidenti Thaçi ka kërkuar atë nga partia e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK.
Isa Mustafa ka caktuar tashmë Avdullah Hotin për shef ekzekutivi por, ende nuk ka arrit marrëveshje me partitë AAK, Nisma e të tjerë.