Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Qeveria për të cilën e votova kundër rrëzimit po më pengon të kthehem në Kosovë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra në Kosovë, duke thënë se në mënyrë primitive dhe diktatoriale po pengohet kthimi, pasi që Qeveria dje deklaroi se Pacolli si çdo qytetar tjetër duhet të futet në karantinë për 14 ditë në konvikte.

Pacolli ka deklaruar se është nën asistencë shëndetësore në Zvicër dhe që bashkë familjen e tij që dy muaj janë në karantinë, e që për këtë thotë se kthimi në këtë mënyrë ia rrezikon shëndetin.

Ai thotë se dëshiron që të kthehet në mënyrë që ta vazhdojë veprimtarinë e tij parlamentare në kohën kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.

Ish-kryediplomati hodhi akuza drejtuar Qeverisë Kurti, për të cilën thotë se e votoi formimin dhe kundër rrëzimit të saj në mocionin e inicuar nga LDK.

Ky është postimi i plotë i Behgjet Pacollit në rrjetin social “Facebook”

Është tronditëse kjo që po ndodh me mua! Pas dy mujësh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumenta, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetësor I përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!

Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën  këtë?

Po e bën një qeveri te cilën unë e kam votuar! Për më shumë nuk kam votuar as mocionin për rrëzimin e saj!

Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale,  më privon të kthehem ne vendin tim! Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim!

Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet nderkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! 

Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare?

Kush jeni ju që paragjykoni votën time?

Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do t votoja pro jush- a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodh ndaj meje, është zhgënjyese!

Kjo është pergjigjja  ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!