Ministria e Brendshme e Serbisë: Nuk kemi ndaluar askënd, po kryejmë vetëm kontrolle të sigurisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, i ka quajtur “të pabaza” raportimet për ndalimin e autobusëve me regjistrim të Kosovës në pikat kufitare.

Sipas komunikatës së këtij institucioni serb, policia e tyre nuk ka ndaluar askënd apo të pengojë hyrjen dhe kalimin e çdo qytetari nga Kosova.

Sipas MPB-së së Serbisë, po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare.

“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare” – thuhet në komunikatën e lëshuar më 17.04.2024.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

Ndalimin e autobusëve e kanë konfirmuar edhe disa kompani të udhëtimeve me autobusë nga Kosova.