Situata me bllokimin e autobusëve, reagon Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve

Kryetari i Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve, Jakup Berisha përmes një reagimi ka pretenduar se në territorin e Serbisë, autobusët që janë hyrë përmes pikave kufitare me Hugarinë dhe Kroacinë, iu kanë “konfiskuar” dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e autobusëve.

Sipas Berishës, zyrtarët kanë marrë nga dy udhëtarë nga secili autobus dhe nga personeli i autobusëve, sipas tij, më pas i kanë vendosur në një objekt, që mbi 12 orë.

“Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve të organizuar pranë OEK-ut, në Prishtinë, sot në mëngjes të datës 17.04.2024, morëm INFORMATEN se në kufijtë e Serbisë në Shidë dhe Suboticë janë ndaluar autobusët me udhëtarë, pasi kanë hyrë në territorin e Serbisë ju kanë KONFISKUAR dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet e autobusëve, i kanë marrë nga dy udhëtar nga secili autobus dhe personelin e autobusëve dhe i kane futur me një objekt. Nuk dihet a është objekt kufitar apo ndonji hangar tjetër, dhe po mbahen mbi 12 orë të ngujuar e të tjerëve udhëtarë ju janë mbyllur dyert e AUTOBUSËVE dhe nuk i lanë as të dalin nga autobusët” – thuhet në reagimin e Jakup Berishës më 17.04.2024 të cilin ka thënë se e ka dërguar edhe tek autoritetet kosovare.

Nga kompania turistike, “Barileva Turist” kanë thënë  për KALLXO.com se bllokim ka edhe në pikëkalimin kufitar “Hogrosh”, mes Serbisë dhe Hungarisë.

Sipas kësaj kompanie, aktualisht janë në pritje të procedurave për lirimin e autobusëve.

“Edhe për neve ka qenë diçka e papritur. Momentalisht, jo vetëm autobusët e Barileva Turist, por çdo automjet me targa të Kosovës është i ndaluar. Nuk ka diçka shqetësuese. Jemi në pritje procedurale. Po besoj që organet kompetente kanë me vendos ndonjë raport ose diçka për lirimin e autobusëve. Jemi duke pritur edhe ne. Udhëtarët janë mirë dhe ne jemi në kontakt me kolegët tanë- shoferët të cilët janë duke pritur sikurse çdo makinë tjetër” – kanë thënë nga Barileva Tourist.

Autoritetet kufitare të Serbisë kanë bllokuar rreth 300 qytetarë të Kosovës në pikëkalimin kufitar “Batrovci” mes Serbisë dhe Kroacisë, sipas sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.

Sipas tij, kjo vjen si “hakmarrje dhe nervozizëm absurd” ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Haxholli ka thënë se nga mesnata aty po mbahen të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë të Kosovës.

Ndërkaq,  Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se pas gjendjes në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

Këto dy ministri kanë udhëzuar të gjithë udhëtarët që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

“MPJD dhe MPB janë duke ndermarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”- thuhet në njoftimin e publikuar më 17.04.2024