Ministri i ri i Jashtëm i Kinës paralajmëron për konflikt me SHBA-në, mbron lidhjet me Rusinë

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Ministri i ri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, paralajmëroi të martën se “konflikti dhe konfrontimi” me Shtetet e Bashkuara është i pashmangshëm nëse Uashingtoni nuk e ndryshon kursin, duke e bërë kësisoji një qortim të ashpër dhe të gjerë të politikave të SHBA-së për konferencën e tij të parë për shtyp në rolin e ri si ministër i Jashtëm.

Qin, i cili deri vonë ishte ambasador i Kinës në SHBA, krijoi një reputacion si një diplomat i kujdesshëm dhe i kompletuar ndërkohë që ishte jashtë shtetit.

Mirëpo ai pati një ton shumë më luftarak në paraqitjen e tij të parë si ministër i Jashtëm në takimin vjetor parlamentar të Kinës, duke paralajmëruar për “pasojat katastrofike” nga Uashingtoni në mënyrën se si e trajton superfuqinë tjetër, KInën.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk i prekin frenat, por vazhdojnë të shpejtojnë në rrugën e gabuar, asnjë masë mbrojtëse nuk mund ta parandalojë daljen nga shinat dhe me siguri do të ketë konflikt dhe konfrontim”, ka deklaruar Qin në margjinat e Kongresit Popullor Kombëtar në Pekin.

Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë në gjendjen më të keqe në dekada dhe tensionet janë rritur edhe më tej muajin e kaluar kur një balonë e dyshuar spiune kineze fluturoi mbi Amerikën e Veriut dhe më pas u rrëzua nga avionët luftarakë amerikanë.

Në konferencën për shtyp të martën, Qin e akuzoi SHBA-në për reagim të tepruar në përgjigjen e saj, për të cilën ai tha se krijoi “një krizë diplomatike që mund të ishte shmangur”.

Incidenti, tha Qin, tregon se “perceptimi dhe pikëpamjet e SHBA-së për Kinën janë shtrembëruar seriozisht. Ajo e konsideron Kinën si rivalin e saj kryesor dhe sfidën më të madhe gjeopolitike”.

Ministri i Jashtëm kinez Qin e vuri theksin tek çështja e Tajvanit duke e konsideruar si “themelin e themelit politik të marrëdhënieve kino-amerikane dhe vijën e parë të kuqe që nuk duhet kaluar”.

Partia Komuniste Kineze pretendon demokracinë vetëqeverisëse të Tajvanit si pjesë të territorit të saj, pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë atë, dhe refuzon të përjashtojë përdorimin e forcës për ta “ribashkuar” atë me Kinën kontinentale.

Të martën, Qin i kërkoi SHBA-së të mos “ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës” dhe i vuri në dyshim përgjigjet e ndryshme të Uashingtonit për çështjet e Ukrainës dhe Tajvanit.

“Pse SHBA flasin për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial për çështjen e Ukrainës, por nuk e respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës për çështjen e Tajvanit? Pse SHBA i kërkon Kinës që të mos i japë armë Rusisë ndërkohë që vazhdon t’i shesë armë Tajvanit?” ka deklaruar Qin./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala