Dënimi me 17 vite burgim ndaj Qëndrim Januzit, palët paralajmërojnë ankesë

Gjykata e Ferizajit ka dënuar me 17 vite burgim Qëndrim Januzin për vrasjen e Gazmend Hysenit që kishte ndodhur në Ferizaj në vitin 2022. Në shpalljen e datës 30.04.2024 gjykata bëri ricilësimin e veprës nga vrasje e rëndë në vrasje.

Me këtë vendim nuk u nda e kënaqur mbrojtja e të akuzuarit dhe bën të ditur në një prononcim për media se vendimin do ta apelojnë.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Florim Vërtopi, rasti nuk ka të bëjë me vrasje të rëndomtë por me vrasje nga tronditja e fortë mendore.

“Mbrojtja përsëri konsideron se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vrasje të rëndomtë por vrasje në tronditje të fortë mendore”.

“Mbrojtja do të ushtrojë ankesë mbi të gjitha bazat ankimore”- tha Vërtopi.

Ndërkaq të pakënaqur ishin ndarë edhe palët e dëmtuara.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Bekim Sylejmani tha se është i pakënaqur si me rikualifikimin ashtu edhe me lartësinë e dënimit.

“Jemi të pakënaqur me rikualifikim që ka bërë gjykata në këtë fazë të procedurës gjithashtu edhe sa i përket lartësisë së dënimit”- tha avokati Sylejmani.

“Kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, vrasje mizore, tinzare”- shtoi tutje Sylejmani duke thënë se vendim do ta apelojnë.

Qëndrim Januzi është dënuar me 17 vite burgim për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit 2022.

Januzi u dënua edhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim e si dënim unik iu shqiptua 17 vite burgim.

Gjykata e Ferizajt me trupin gjykues të kryesuar nga Habib Zeqiri, anëtarët Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci, të akuzuarin e ka shpallur fajtor dhe dënuar për veprën penale vrasje.

Sipas aktakuzës në orën e parë të datës 28.05.2022 i akuzuari e kishte privuar jeta me 6 plumba viktimën.

Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK