Ministri i Mbrojtjes raporton në Komision, flet për uniformat, transportin dhe pajisjet e ushtarëve të Kosovës

Ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes u pyet për transportin, uniformat dhe pajisjet e FSK-së.

Bekë Berisha, deputet i AAK-së dhe kryetar i këtij Komisioni, gjatë raportimit për raportin vjetor të punës përballi Maqedoncin me këto probleme të ushtarëve kosovarë.

“A është siguruar transporti, uniformat dhe pajisjet për ushtarët e FSK-së?”, pyeti Berisha – Maqedoncin.

Maqedonci në anën tjetër tha se prej 09.01.2024 janë organizuar për transport të ushtarëve teksa uniformat kanë qenë sfidë.

“Prej 9 janarit jemi organizuar për transport te ushtarëve, për 2 lote, 12 linja te transportit, ndërkaq për një lot është organizuar transport i brendshëm për ushtarë nga vende të ndryshme. Uniformat kanë qenë sfida. Çështja e uniformave është adresuar kemi bërë një kontratë emergjente. Kemi nënshkruar një kontratë në vjeshtë. Tashmë do të fillojë furnizimi i ushtarëve me uniforma”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Tutje, Berisha e pyeti ministrin për raportimin për një takim të mundshëm me Dejona Mihalin, zyrtare e LVV-së dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Ministri Maqedonci thotë se e ka takuar Mihajlin në Gërmi gjatë ecjes së tij të zakonshme, ndërkaq shefin e AKI-së nuk e ka takuar, por ka qenë dikush i afërm i Maqedoncit.

Bekë Berisha iu kthye ministrit se ai duhet t’i raportojë vetëm Kuvendit të Kosovës.

“Ti je ministër, nuk duhesh me taku as raportu te Dejona. E ka emrin Dejona edhe jeton në Kosovë”.

Ministri, Berishës iu përgjigj me fjalët “Unë nuk i raportoj askujt përpos Komisionit”.

Maqedonci është emëruar ministër në gusht të vitit 2023, me vendim të kryeministrit, Albin Kurti. Ai e mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtës pas dorëheqjes për shkaqe familjare të Armend Mehajt.