Ministrat e ministrive që u shkrinë mund t’i emërojnë deri në 15 këshilltarë politikë

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi ka miratuar shqyrtimin e projekt-rregullores për ndryshimin e rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

Më këtë vendim, iu lejohet ministrave të cilët udhëheqin ministritë e fuzionuara që të angazhojnë 10 këshilltarë të brendshëm dhe pesë të jashtëm.

Deri më tani, sipas rregullove të brendshme të Qeverisë, një ministër ka pasë mundësi t’i angazhojë vetë 6 këshilltarë të brendshëm.

Kryeministri Albin Kurti paraqiti para ministrave arsyet se përse duhet bërë një ndryshim i tillë.

“Si rezultat i fuzionimit të ministrive është zgjeruar fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe rritjes së efikasitetit në qeverisje sot shqyrtojmë projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin dhe ndryshimin e rregullores me të cilën përcaktohen fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive”, tha Kurti.

“Ministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë, gjithashtu edhe në rastet kur dy apo ma shumë ministri janë fuzionuar mund të emërohen nga ministri 5 këshilltarë të jashtëm politikë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për ndryshimin e rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive bëhet fjalë për shtimin e kapaciteteve njerëzore në kabinetet e pesë ministrive të cilat janë fuzionuar.

Në këtë vendim bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Industrisë , Ndërmarrsisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ky ndryshim ka për qëllim me ju përgjigj faktit që këto ministri në momentin kur janë shkrirë kanë pësuar një rritje apo zgjerim të kompetencave dhe përgjegjësive që kanë dhe rrjedhimisht ka qenë e nevojshme që ketë edhe rritje të kapaciteteve të kabinetit për të ju përgjigjur këtyre përgjegjësive të reja”, tha Kryeziu.

Sipas rregullores për fushat administrative të qeverisë, Kryeministri mund të emërojë deri në 12 këshilltarë politikë. Zëvendëskryeministrat, që mbulojnë ministri dhe ata që nuk mbulojnë asnjë ministri, mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë.