Foto: MPJD
Milionat për blerjen e ambasadave barten nga buxheti i vitit të kaluar
3 miliardë e 314 milionë euro pritet të jetë buxheti për vitin e ardhshëm i miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës më 16 nëntor.
Në buxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës nuk ka planifikuar ndarjen e mjeteve të reja për blerjen e objekteve për nevoja të ambasadave në vendet e jashtme, por vetëm ka bartë miliona nga buxhetit i vitit të kaluar.
Sipas projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2024, për blerjen e ambasadave është planifikuar të shpenzohen 10 milionë e 125 mijë euro, të gjitha këto mjete janë të bartura nga viti 2023.
Për blerje të ambasadave deri më 2023 janë shpenzuar mbi 15 milionë e 200 mijë euro.
As në buxhetin për vitin 2023 nuk ishin ndarë mjete të reja për blerjen e objekteve të misioneve diplomatike. Për ketë çështje, 11 milionë e 850 mijë euro ishin bartur nga vitin 2022.
Në buxhetin e vitit 2024 mjete të reja nuk janë ndarë as për renovim të objektit të ambasadës dhe vetura të ambasadave.
Për vetura për ambasada është planifikuar të shpenzohen 450 mijë euro, po ashtu të bartura nga vitit 2023.
Ndërsa, për renovim të objektit të ambasadës janë paraparë të shpenzohen 500 mijë euro, po ashtu të bartura nga viti 2023.
Sa i përket ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mjetet nga viti 2023 janë bartur edhe për vetura për administratë, kompjuter, pajisje teknologjike, pajisje me softwer, sistemin e sigurisë së Komunikimit për MPJ dhe Misionet Diplomatike e të tjera.
Mjete të reja në buxhetin e vitit 2024 janë ndarë vetëm për meremetimin dhe riorganizimin e bodrumit të ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Për këtë projekt janë ndarë 200 mijë euro.
Në korrik të këtij viti, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA ka gjetur se kontrata për blerjen e objektit të Ambasadës së Kosovës në SHBA dhe blerja e veturës në Angli nuk kanë qenë në shënuara në raportin përmbledhës vjetor të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Në raportin për vitin 2022, Auditori sqaron se në fund të vitit autoritetet kontraktuese do të hartojnë një raport përmbledhës vjetor për çdo kontratë publike, që është nënshkruar në vitin fiskal paraprak.
“Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860€, dhe për blerjen e veturës për ambasadën në Angli në vlerë 50,463€”- thuhet në raport.
Në mars të vitit 2022, kabineti qeveritar pati ndarë paratë për blerjen e objektit të Ambasadës në SHBA dhe Londër.
Më 16 nëntor 2023, pas rreth 10 orë diskutime, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Në votim nuk kanë marrë pjesë tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, të cilat para se të hidhet në votim Projektligji, u larguan nga salla e Kuvendit.
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit 2023.
Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024