Menaxhimi i mbeturinave në kryeqytet sipas ZKA-së: Dështim i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale
Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të jetë efikase as efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit.
Kështu ka vlerësuar ZKA në një raport i cili i është kushtuar auditimit të performancës, efikasitetit dhe efektivitetit për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Periudha e këtij auditimi është 2023-2025.
Raporti i titulluar “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet”, ka konstatuar se sistemi aktual nuk funksionon në mënyrë efikase.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media të mbajtura më 18.05.2026 ka deklaruar se një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale.
“Situata e rënduar e mbeturinave në kryeqytet, e reflektuar përmes mbingarkimit të kontenierëve dhe shpërndarjes së mbeturinave nëpër trotuare dhe hapësira publike”- tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë më 18.05.2026.
Raporti evidenton dështim në të gjitha nivelet e mbikëqyrjes institucionale, përfshirë bordet dhe strukturat komunale.
Në raportet mujore mbi shfrytëzimin e kamionëve për periudhën 2023-2025, ZKA thotë se për shumicën e kamionëve figuronte se kilometrat e përshkruar janë zero. Ndërkohë që për të njëjtët kamionë janë raportuar sasi të bartura të mbeturinave dhe shpenzime për karburant. Derisa, mungesa e mirëmbajtjes së pajisjeve matëse të kilometrave dhe vjetërsia e kamionëve është konisderuar shkaku kryesor që këta matës janë jofunksional.
Spanca ka shtuar se auditimi ka zbuluar edhe probleme serioze në menaxhimin e flotës së kamionëve.
Kështu që, nga 31 kamionë të nevojshëm për mbulimin e kryeqytetit, ZKA thotë se në disa periudha kanë qenë funksional vetëm 10–11 kamionë.
Edhe pse janë bërë blerje të reja, situata nuk është përmirësuar dukshëm, duke ngritur dyshime për menaxhimin e investimeve, ka theksuar Spanca.
Një tjetër gjetje shqetësuese sipas ZKA-së lidhet me menaxhimin e kontejnerëve. Nga mijëra të blerë, rreth 900 kontejnerë dhe shporta ende nuk janë shpërndarë dhe mbeten të papërdorur.
Gjithashtu, janë identifikuar kontejnerë të dëmtuar që nuk janë zëvendësuar në kohë, si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes dhe trajnimit të stafit.
Sipas ZKA-së, edhe Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” nuk ka trajtuar problemet kryesore të shërbimit të mbeturinave, ndërsa Komisioni Komunal i Aksionarëve nuk ka ushtruar mbikëqyrje të rregullt.
ZKA po ashtu ka konstatuar se angazhimi i operatorëve privatë për mbledhjen e mbeturinave ka rezultuar më i shtrenjtë se shërbimi publik, duke i kushtuar komunës rreth 149 mijë euro shtesë.
“Pavarësisht kontraktimit të OE-ve privat, Komuna nuk kishte arritur të bëjë përmirësime të dukshme sa i përket grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet”- ka thënë Spanca.
Njoftohet se Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer pergjigje lidhur me konkluzionet dhe rekomandimet e auditimit ndërsa KRM “Pastrimi” është pajtuar me konkluzionet dhe rekomandimet ZKA-së.
Auditori i ka rekomanduar që Komuna dhe Kuvendi Komunal duhet të emërojnë zyrtarë të përgjegjshëm dhe me integritet në strukturat e llogaridhënies për të kryer detyrat me kompetencë.
Komuna është rekomanduar që të marrë masa të menjëhershme ndaj çdo zyrtari në raste të performancës së dobët apo moszbatimit të detyrimeve të besuara.
Edhe KRM “Pastrimi” është rekomanduar që të rris efikasitetin operativ duke hartuar plane biznesi SMART dhe duke përditësuar itineraret sipas nevojave reale në terren.