Mbyllen institucionet në veriun e vendit për shkak të protestës

Institucionet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë mbyllur gjatë ditës së sotme për shkak të protestës e cila është duke u mbajtur në veri të Mitrovicës.

KALLXO.com mëson edhe se gjyqtarët nuk kanë dalë në punë gjatë ditës së sotme pasi kanë hyrë në grevë.

Në anën tjetër dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin Car Llazari dhe janë duke marshuar nën mbishkrimin “Kurti e ke shkatërruar marrëveshjen e Brukselit ke shkatërruar gjithçka”.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Por me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUNIT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë.