Zgjedhjet serbe në Kosovë, pse qeveria injoroi opozitën?

Pushteti e ka injoruar opozitën për konsultime në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës. Përgjegjësia në shumë drejtime, sipas opozitarëve, i takon shefit të qeverisë, Albin Kurti.

Shteti i Kosovës për herë të parë ndaloi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë brenda territorit.

E për këtë vendim të qeverisë së Kosovës, kritika të forta dhanë shtetet e QUINT-it, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti arsyetoi vendimin duke thënë se Serbia nuk kërkoi zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve por injoroi institucionet shtatore duke iu drejtuar zyrës ndërlidhëse në zyrën e BE-së në Kosovë.

Kjo, siç argumentonte Kurti, “mund ta lehtësojë komunikimin në aspektin logjistik, por nuk janë instancat që zyrtarizojnë autoritete politike”.

Sipas tij, një marrëveshje mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, do të duhej t’i paraprinte zgjedhjeve të 3 prillit.

Vendimet e shefit të ekzekutivit kosovar nuk i pëlqyen presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ai akuzoi palën kosovare për dekonstruktivitet.

Ndërsa edhe nga Bashkimi Evropian shprehën mospajtime me vendimin e KOsovës për të refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Në anën tjetër, pushteti nuk konsultoi as partitë opozitare për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Kështu ka thënë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai tha se partia që drejtohet nga Ramush Haradinaj ishte në parim kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në vendin tonë, por, sipas tij, përgjegjësitë, të mirat dhe rreziqet nga vendimi, duhet na ta tregoi kryeministri, Albin Kurti.

“Edhe ne në Aleancë dëshirojmë që të mos mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, të paktën pa një marrëveshje të pastër me Serbinë”, është shprehur i pari i Gjakovës në “Kallxo Përnime”.

Sipas nënkryetarit të AAK-së, partia që udhëheq me qeverinë e vendit duhet të synoj konsensus me partitë tjera opozitare, ne veçanti kur fjala është për politikën e jashtme dhe raportet me Serbinë.

Madje, kjo, sipas Ardian Gjinit, është detyrë.

Por, sipas Gjinit, deri më tani, pushteti po e injoron opozitën.

Serbia, të dielën më 3 prill organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Por, jo sikur herëve të kaluara, ato nuk do të mbahen në territorin e Kosovës.

Që nga viti 2012, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), misioni në Kosovë, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në vendin tonë me mbështetje të institucioneve të vendit, duke përfshirë forcat e rendit dhe KFOR-in.

Edhe këtë vit, OSBE shprehi gatishmëri ta kryej rolin e njëjtë, por sipas këtij institucioni ndërkombëtar, ajo mund të ndodh vetëm pasi të jenë pajtuar dy vendet, Kosova dhe Serbia.

Në fillim të këtij viti, Serbi shprehi dëshirë që organizimin e një referendumi që e bëri brenda territorit të saj ta shtrijë edhe në brenda kufijve të Kosovës.

Por, ajo u kundërshtua nga institucionet vendore.

Atë kohë, qëndrimet pozitë-opozitë ishin të njëjta, kundërshtohej mbajtja e referendumit serb në Kosovë. Për këtë, legjislativi kishte miratuar një rezolutë kundër mbajtjes së referendumit në territorin e vendit.

Kreu i qeverisë nuk u konsultua as me partinë e dytë më të madhe në vend, LDK-në.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili ka qenë edhe negociator në bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se shtetet e QUNINT-it u konsultuan me opozitën por, ekzekutivi kosovar, jo.

“Me neve kanë bisedu të gjithë ambasadorët e QUINT-it, kanë qenë dy telefonata të veçanta nga përfaqësuesi special”, është shprehur ai duke shtuar se ambasadoret e QUINT-it i kanë kontaktuar edhe partitë e tjera opozitare.

A i kundërshtoi apo jo zgjedhjet serbe Kurti në Kosovë?

Kreu i qeverisë kosovare nuk ka e ka ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë, por vetëm i ka kushtëzuar ato.

Kështu ka vlerësuar, Lutfi Haziri, nënkryetar i partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Edhe sot kur po flasim, nuk e kemi një vendim që qeveria ose kryeministri ka thënë ‘nuk mund të mbahen zgjedhjet’. Ka thënë, pa një letërkëmbim, e cila nënkupton kërkesë zyrtare të Serbisë për organizimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës, nuk mund të mbahen”, thotë Lutfi Haziri.

Haziri thotë se, kërkesa e Kurtit që Serbia të dërgoj një kërkesë dhe të ketë një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve, ishte një risi, e cila, sipas tij, mund ta dëmtoi Kosovën në të ardhmen.

“Ne kemi parime në negociata (me Serbinë), tash e 32 vjet, sidomos prej Vjenës. Kosova nuk bisedon me Serbinë drejtpërdrejtë, pa një ndërmjetës të garantuar dhe pa garancione nga ShBA-ja. Gjithashtu, nuk bisedon në territor të Kosovës apo Serbisë, por në një vend neutral”, shtoi nënkryetari i LDK-së, Haziri.

Sipas tij, komunikimi i drejtpërdrejtë me letërkëmbime mes Kosovës dhe Serbisë mund t’i thyej këto parime.

Pas këtyre zhvillime, presidenti serb, Vuçiq u tërhoq.

“Tërheqja strategjike e ka dëmtu imazhin e politikës së Kosovës karshi vendeve të QUINT-it pasi deri tani palët nuk kanë kushtëzu, ose pala jonë nuk e ka kushtëzu procesin e negociatave asnjëherë”, ka thënë ai.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Serbia tha për Kosovën që po sjell kushtëzime dhe njëjtë u kuptua edhe nga shtetet e QUINT-it.

Më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serbë në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.