Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Szunyog: Praktika që OSBE-ja të mbledhë votat e zgjedhjeve të Serbisë duhet të vazhdojë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se praktika e vendosur nga OSBE-ja për mbledhjen e votave të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nga ajo duhet të vazhdojë.

“Bashkimi Evropian beson se praktika e vendosur, sipas së cilës OSBE-ja ka organizuar mbledhjen e votave në Kosovë, duhet të vazhdojë, me ndryshime të caktuara për situatën aktuale”, tha ai.

Szunyog në një deklaratë për BBC në gjuhën serbe tha se deri më tani ka qenë praktike mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe një gjë e tillë do të mund të ishte opsion edhe për zgjedhjet e 3 prillit.

“Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të ndërmjetësuara nga BE-ja në Kosovë, edhe pse të dyja palët deri më tani kanë krijuar një praktikë që lejon votimin në vetë Kosovën – dhe kjo do të ishte një opsion i mundshëm për zgjedhjet e 3 prillit”, tha ai

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Por me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve. Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUNTI-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.