FOTO: KALLXO.com

MASHTI shkarkon Fatmir Sfishtën, ai e quan vendimin ‘Skajshmërisht të paligjshëm’

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka mbajtur konferencë për media lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.

Ai në konferencë tha se dje ka pranuar një vendim të nënshkruar nga Ministrja Nagavci i cili vendim e shkarkon atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve.

“Po ashtu, dje gjatë ditës kam pranuar një email nga kabineti i ministres Nagavci që sot në ora 9:00 të bëj dorëzim-pranimin e detyrës për personin që do të caktohet nga ata për të ushtuar detyrën e drejtorit”-tha ai.

Mirëpo Sfishta tha se nga ora 9:00 nuk ka ardhur askush as nga Ministria e Arsimit as personi që është emëruar në këtë pozitë.

Ndërsa vendimin e quajti skajshmërisht të paligjshëm.

“Sa i përket vendimit të ministres Nagavci për shkarkimin tim, unë mendoj dhe besoj që ky vendim është skajshmërisht i paligjshëm dhe do ta sfidojë me të gjitha mjetet juridike që kam në dispozicion” – u shpreh Sfishta.

“Ky vendim pak a shumë thotë që të shkarkohem për arsye se kanë shpallur të paligjshëm një akt emërim që m’u ka lëshuar mua nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit në një kohë të caktuar” – shtoi ai.

Më 20 shtator në një prononcim për KALLXO.com, Sfishta kishte thënë se vendimi për shkarkimin e tij është në suaza politike.

“Nëse vendimi edhe kontrata ime është nënshkruar, ju kam nënshtruar një konkursi publik, jam zgjedhur me konkurs publik dhe atëherë është nënshkruar nga zyrtari kryesor administrativ , nga sekretari permanent dhe edhe akt emërimi është nënshkruar nga sekretari përmbante  dhe tash vendimi për largimin tim nga pozita që kam është nënshkruar nga ministrja Nagavci kjo i jep nuanca politike këtij vendimi” – tha ai sot.

I pyetur se a ka pasur paralajmërime për shkarkimin e tij, Sfishta tha se ka pasur shkrime në media dhe tendenca, por jo paralajmërime.

“Vetë fakti që gjatë këtyre dy viteve ne kemi pasur auditime të jashtëzakonshme, dy auditime të jashtëzakonshme, auditime të rregullta, brenda një viti kemi pasur 4 auditime tregon që ka pasur një tendencë dhe ka pasur një sulm dhe një presion të jashtëzakonshëm mbi mua dhe mbi stafin e qendrës së studentëve. Mirëpo, çdo raport i auditorit këto viteve të fundit edhe autori gjeneral edhe auditori i brendshëm e ka vlerësuar punën e Qendrës së Studentëve dhe menaxhimin në Qendrën e Studentëve. Pra, ne jemi ballëhapur para çdo institucioni dhe ndjejmë veten shumë mirë.” – tha në mes tjerash ai.

Ai gjithashtu tha se nuk ka informacion zyrtar se kush është personi që do ta marrë pozitën e Drejtorit të kësaj qendre.

“Nëse është ai person që po përflitet, atij personi nëse e konsideroj dhe e shoh që ma lejon ligji t’ia dorëzoj detyrën, do t’ia dorëzoj. Përndryshe, nëse ai preson e konsideroj që ligji nuk ma lejon t’ia dorëzoj detyrën nuk do t’ia dorëzoj detyrën. Do t’ia dorëzoj një komisioni.”- u shpreh Sfishta.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e MASHTI-it për shkarkimin e Sfishtës.

Ndër të tjera, në  arsyetim të vendimit thuhet se “Akt emërimi i dt. 21.06.2012, i nënshkruar nga Xhavit Dakaj ish-sekretar i përgjithshëm në MASHTI, është i paligjshëm, sepse është në kundërshtim me nenin 15 paragrafi 3 i Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili përcakton se mandati për pozitat e larta drejtuese është 3 vjeçar. Gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 i Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik pasi që kohëzgjatja dhe mandati i pozitave të larta drejtuese është me kohë të caktuar si dhe me Statutin e Qendrës Studentëve në Universitetin e Prishtinës”.

Sipas këtij dokumenti të MASHTI-t, Sfisha është në pozitën: Drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Studentëve është në këtë pozitë prej vitit 2012.

Ky është vendimi i plotë i MASHTI-t:

FOTO: Vendimi për shfuqizim të Akt emërimit të Fatmir Sfishtës nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve.
FOTO: Vendimi për shfuqizim të Akt emërimit të Fatmir Sfishtës nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve.
FOTO: Vendimi për shfuqizim të Akt emërimit të Fatmir Sfishtës nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve.