Fatmir Sfishta flet për shkarkimin nga pozita e drejtorit të Qendrës së Studentëve, vendimin e quan të paligjshëm dhe politik

Ministria e Arsimit e ka shkarkuar sot nga pozita drejtorin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishtën.

Sfishta për KALLXO.com ka thënë se vendimin e ka marrë sot pas orarit të punës, përmes e-mail.

“Po është e vërtetë (që jam shkarku), e pash një e-mail pas orarit të punës, më ka ardhë si njoftim që ministrja e Arsimit më ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Qendrës së Studentëve. Arsyet i gjeni në vendim, sonte nuk mund të jua dërgoj”- ka thënë ai.

Sfishta për KALLXO.com tha se do të ankohet ndaj vendimit, i cili sipas tij është i paligjshëm.

Sipas tij, vendimi për shkarkimin e tij është politik.

“Vendimi krejt është i paligjshëm, në suaza politike krejtësisht, nuk përmendet aty por…”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se vendimin nuk e ka pranuar fizikisht por vetëm përmes e-mail.

Lidhur me këtë vendim, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Arsimit dhe është në pritje të përgjigjeve.