Visar Islami, Këshilli i Prindërve të Kosovës, Foto: KALLXO.com

Islami nga Këshilli i Prindërve të Kosovës: Problemi më i madh është me nxënës të shkollave të mesme

“Problemi më i madh është tek mosha 14 vjeç, andaj kish qenë mirë me bashkëpunu edhe me ministrinë e rendit”, kështu ka thënë Visar Islami nga Këshilli Prindërve të Kosovës në emisionin “KallxoPernime”.

Në diskutimin mbi “Dezinformimin në shkolla”, ai ka shtuar se shumica e mësimdhënësve nuk janë të trajnuar që të ligjërojnë se si të paraqiten para mediave.

“Mendoj se këtu duhet me punu MASHTI me trajnime të mirëfillta që mësimdhënësit të përgatiten për këtë temë edhe ata të plasojnë tek fëmijët. Ministria e Rendit e ka mundësinë me i kontrollu edhe rrjetet sociale dhe mund të marr masa. Ne duhet të reagojmë pra të parandalojmë problemin jo kur të bëhet. Ne problemet më të mëdha i kemi në shkollat e mesme” – tha Islami.

Ai shtoi se nëse të gjithë akterët bashkëpunojnë mes veti, atëherë sipas tij rezultatet do të jenë shumë të mira.

“Ne këtë formë qysh jem t’u punu, secili vet, unë vet ai vet ai vet, na e kemi problem, unë s’po them që s’bashkëpunoj me ministri por unë nuk flas si individ në ato takime, por kur të gjithë punojnë së bashku me ekipe punuese besoj që kjo situatë për rrjetet sociale do të menaxhohej shumë më mirë” – tha Islami.

Në fund të vitit 2023, BIRN Kosova ka publikuar hulumtimin “Vorbulla e rrenave” në të cilin është ardhur në përfundim se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit. Në Kosovë nuk ka një vizion të qartë dhe qasje strategjike për luftimin e këtij fenomeni. Rrjedhimisht, dezinformimi ka ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik
në Kosovë.

Institucionet e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të themelojnë mekanizma që monitorojnë shpërndarjen e dezinformimit, ndërsa institucionet gjyqësore nuk janë marrë me raste të tilla. Sfida kryesore është mungesa e programeve të edukimit për median dhe mungesa e
kapacitetit të sistemit arsimor për ta ofruar këtë. Rrjedhimisht, shoqëria kosovare mbetet e pambrojtur nga dezinformimi edhe pse të dhënat tregojnë se dezinformimi ka ndikim serioz në opinionin publik.

Përveç analizës së artikujve të rremë, hulumtimi ka bërë një sondazh për të vlerësuar opinionin publik dhe përceptimin rreth dezinformimit. Sondazhi përfshiu një mostër prej 1,056 qytetarëve. Gjetjet e këtij sondazhi tregojnë pasojat e dezinformimit të qytetarëve të
Kosovës, duke zbuluar se një përqindje e mirë e popullsisë e ka vështirë për të bërë dallimin mes informacionit të saktë dhe të rremë duke i munguar kështu njohuria e nevojshme për ta identifikuar dezinformatën. Rrjedhimisht, raporti nënvizon rëndësinë e edukimit për media dhe kultivimit të aftësive të mendimit kritik si mjete esenciale në luftën ndaj dezinformimit. Shumica e këtyre qytetarëve janë përdorues të platformave të rrjeteve sociale, sidomos Facebook-ut, i cili shërben si kanal primar për shpërndarjen e dezinformatave. Të dhënat e grumbulluara theksojnë më tej se prodhuesit e përmbajtjeve të tilla përdorin teknika të ndryshme, përfshirë manipulimin e videove, fotografive dhe përmbajtjes së shkruar.

Situata është po aq sfiduese për institucionet publike dhe vendim-marrësit që merren me dezinformimin. Me qëllim që të vlerësohet njohuria dhe aftësitë e zyrtarëve publikë rreth dezinformimit, BIRN ka zhvilluar një eksperiment social i cili përfshiu 50 pjesëmarrës nga profesione të ndryshme si mësues, mjekë, gjykatës dhe prokurorë. Gjatë eksperimentit, gazetarët e BIRN u prezantuan pjesëmarrësve artikuj të kompletuar me logo dhe dizajne të vërteta. Artikujt përmbanin informacione të pavërteta të cilat ishin lehtë të identifikueshme
për profesionin respektiv të respodentëve dhe shumica e pjesëmarrësve i ranguan artikujt si të vërtetë dhe shprehën vullnetin për t’i shpërndarë, pa e verifikuar informacionin. Janë rreth 200 zyrtarë që punojnë në zyret e informimit publik në institucionet e Kosovës. Bazuar në fokus-grupet e bëra me përfaqësues të këtyre departamenteve, është arritur në përfundim se këtyre zyrtarëve u mungon njohuria adekuate në dezinformim, përfshirë edhe atë se si të identifikohet dhe si të adresohet dezinformata.