Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Marko Gjuriq: Kurti nuk e ka hequr taksën, mos bini pre e lajmeve të rreme

“Kurti nuk e ka hequr taksën. Mos bini pre e lajmeve të rreme. Kryeministri i Institucioneve të Përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë ka njoftuar se të jem i saktë “vetëm pezullimi i taksës dhe pezullim i kushtëzuar“, ndërsa në të njëjtën kohë ka prezantuar masa tjera ndëshkuese për qytetarët tanë dhe ekonominë tonë që i ka quajtur masa të reciprocitetit“, është reagimi i parë nga Beogradi për vendimin e Qeverisë Kurti për heqjen e tarifës 100% dhe vendosjen e reciprocitetit.

“Prishtina po vazhdon të luajë me këtë çështje dhe perspektivën ekonomike të shoqërisë në Kosovë. Ky vendim është një shfaqje për një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Marko Gjuriq.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e tarifës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kurti të martën në një konferencë për media ka njoftuar se nuk do të vendosen masa reciprociteti ndaj Bosnjë-Hercegovinës.

Por Gjuriq konsideron se me këto vendime dhe veprime situata nuk kthehet njëjtë sikurse ka qenë para vendosjes së taksës.

“Por po vendosen barriera deri më sot të panjohura dhe që nuk kanë ekzistuar për tregtinë dhe lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve“, ka thënë Gjuriq.

Përkundër kësaj Gjuriq ka thënë se është koha që Prishtina dhe Beogradi të lënë anash dallimet e mëdha.

“Konsideroj se nuk është koha për vendosjen e masave sikurse kanë vepruar në Prishtinë, por është koha kur edhe dallimet thella dhe thelbësore me Prishtinën duhet të mënjanohen. Dhe është koha kur të gjithë duhet të punojmë fuqishëm dhe të bashkëpunojmë për të tejkaluar këtë pandemi e cila nuk njeh kufij, apo përkatësi politike dhe kombësie“, ka thënë ai.