BQK largon tarifën e depozitimit të monedhave metalike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka larguar tarifën për depozitimin e monoedhave metalike.

Sipas njoftimit, tashmë bizneset nuk do të detyrohen të paguajnë një tarifë, kur të depozitojnë monedha metalike.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë tash e disa vite vazhdimisht ka kërkuar dhe zhvilluar takime e aktivitete të vazhueshme duke kërkuar që tarifa për valutat metalike për bizneset të cilëve i’u janë ndaluar 3.7%, 5%, 8% e shumë së dorëzuar gjatë depozitimit të monedhave metalike nga qarkullimi i tyre, të largohet sepse kjo tarifë ka dëmtuar rëndë bizneset të cilat operojnë me monedha metalike” – thuhet në njoftim.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, kur për shembull një biznes ka bërë depozitimin e 10 mijë eurove para metalike në banka komerciale, atij biznesi i janë ndalur 370 deri në 500 euro tarifë.

“Bizneset që janë afektuar më së tepërmi nga kjo tarifë ishin furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj., që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, andaj aplikimi i kësaj tarife ka shkaktuar një barrë të madhe për këto biznese” – thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.