LVV në Prishtinë: LDK e Ramës dhe PDK e Ismailit u bënë përsëri bashkë, tinëzisht

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në kryeqytet, duke kritikuar koalicionin e zyrtarizuar ndërmjet kryetarit të komunës, Përparim Rama dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“LDK e Përparim Ramës u bë bashkë me PDK-në e Uran Ismailit. Tinëzisht, përseri”- shkruan LVV. 

Ky bashkëpunim ndërmjet Ramës dhe Ismailit, sipas LVV-së, nuk është i ri, por “ka qenë i dukshëm që nga balotazhi për kryeqytetin”.

LVV vlerëson se ky koalicion nuk është në funksion të qytetarëve të Prishtinës, por për interesa të ngushta politike. 

“Ky koalicion i zyrtarizuar është dëshmi e qartë se politika e vjetër po rreshtohet sërish për të ruajtur interesat e përbashkëta me çdo kusht”- thuhet në reagimin e lëshuar, më 06.05.2026.

Sipas LVV-së, bashkëpunimi ndërmjet tyre vjen pas një periudhe përplasjesh, të cilat i cilëson të natyrës retorike. 

“Kjo është edhe një arsye më shumë për të vazhduar, bashkë me qytetarët, rrugën e ndryshimit dhe të qeverisjes së ndershme”- përfundon LVV. 

Të martën, më 05.05.2026, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar arritjen e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ndërkaq, sot (06.05.2026), Rama ka konfirmuar finalizimin e një bashkëqeverisjeje të re në kryeqytet me disa subjekte politike.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ai bëri të ditur se bashkëqeverisja përfshinë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Krah Ramës do të qeverisë edhe Besianë Musmurati si nënkryetare e parë e Prishtinës, e cila u shkarkua nga vetë ai gjatë mandatit të kaluar nga pozita e drejtoreshës së Arsimit në këtë Komunë.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mohuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komunën e Prishtinës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një prononcim para mediave, ka insistuar se LDK nuk ka arritur koalicion me PDK-në në Prishtinë.

Ai  ka deklaruar se për këtë ka biseduar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe të dy janë dakorduar se nuk kanë koalicion mes dy partive në Prishtinë.

Më të fituar mandatin e dytë në krye të Prishtinës, Rama ka vazhduar të deklarojë publikisht për krijimin e një “bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse” me partitë e tjera.

Megjithatë, kjo nuk u bë e qartë për muaj me radhë, deri sa e zyrtarizoi koalicionin me PDK-në në Prishtinë, të martën, më 05.05.2026.

Rama po ashtu  ka deklaruar se u kishte bërë ftesë të gjitha subjekteve politike në Prishtinë për, siç e quante ai, bashkëqeverisje, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi këtë, duke thënë se nuk kishin pranuar asnjë ftesë nga Rama për një gjë të tillë.

LDK mohoi koalicionin me PDK-në, Rama konfirmon bashkëqeverisjen me disa parti në kryeqytet