Lumir Abdixhiku: Ndalesa e pagave të grevistëve është shantazh jodemokratik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me deklarimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se për ata që vazhdojnë grevën do respektohet Ligji për greva.

Sipas Abdixhikut, ndalesa e pagave është gjëja e fundit që u duhet këtyre familjeve në këtë kohë krize e inflacioni rekord.

“Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre – burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale – ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik” – ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së e ka ftuar Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Sipas tij, shpërputhja e pushtetit me kërkesat qytetare nuk do durojnë gjatë.

“E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare – në këtë masë – nuk do të durojë gjatë”- ka deklaruar Abdixhiku.

Ministri Murati tregon kujt nuk i dolën sot rrogat