Foto: ZKM

Ministri Murati tregon kujt nuk i dolën sot rrogat

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se sot është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procesimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

“Greva e deklaruar në fund të muajit gusht ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për disa organizata buxhetore.Ne kemi bërë kërkesë nga organizata buxhetore që të përditësojnë listat por vonesa në këtë proces ka pamundësuar  gjithë procedimin e pagave ditën e sotme” – tha ministri në një konferencë për media.

I pyetur nëse kanë kërkuar listë të punonjësve që kanë marrë pjesë në grevë, ministri Murati tha se nga zyrtarët administrativë kanë kërkuar të tregojnë ata që janë duke punuar.

“Nuk është kërkuar listë e grevistëve. Në Thesar janë mbi 27 mijë persona që janë pjesë e SBASHK-ut. Nga komunat kemi marrë përgjigje që stafi mësimor janë në pushim e jo në grevë. UP është deklaruar po ashtu që janë në pushim e jo grevë. Ka mësimdhënës që haptas janë deklaruar kundër grevës” – theksoi ministri.

Ministri theksoi se çdo person që ka qenë në grevë dhe ata që do ta vazhdojnë grevën do të trajtohet në bazë të Ligjit për grevën.

Sipas tij, punëdhënësi në raste të tilla e pezullon obligimin e pagesës ndaj punëtorit.

“Çdo person që ka qenë në grevë dhe vazhdon të jetë do trajtohet sipas nenit 18 paragrafi 1 të Ligjit për greva, i cili parasheh që pezullohet obligimi i dyanshëm. Pra, në njërën anë punëtori nuk ka obligim që ta respektojë kontratën e punës dhe punëdhënësi pezullon obligimin e pagesës. Për të gjithë ata që vazhdojnë grevën do trajtohen kështu”, ka thënë Murati.

Lidhur me kërkesat e sindikatave për dialog me Qeverinë, ministri Murati tha se janë për dialog porse “nuk mund të kemi  një të tillë me këta persona që shkojnë duke i rritur kërkesat pavarësisht se u janë plotësuar”.

“Në situata kaq delikate vijnë me kërkesa të tilla e kërcënime, shantazhe, në kurriz të fëmijëve. Këto nuk mund t’i pranojmë” – tha ai.

“Unë jam i bindur që nesër të gjithë mësimdhënësit do jenë në vendin e punës” – shtoi ministri, i cili u bëri thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.