Mitrovica e Veriut Foto: Atdhe Mulla / KALLXO.com

Lista Serbe i fton qytetarët serbë të mblidhen nesër në sheshin ‘Car Llazari’

Lista Serbe ka bërë thirrje për një tubim nesër në ora 12:00, para shtatores së “Car Llazarit” në Mitrovicë të Veriut.

“Do t’i themi Evropës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm dhe presidenti i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë” – thuhet në njoftimin e Listës Serbe në Facebook.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur sot për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Në veri të vendit, disa zyrtarë policorë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje duke e dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës.

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

KALLXO.com ka mësuar se fillimisht sot komandantët e stacioneve policore në katër komunat në veri të Kosovës, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) do të dorëzojnë uniformat e tyre nëpër stacionet ku punojnë.

Pas komandantëve tutje siç mëson KALLXO.com të gjithë zyrtarët policorë të njësive të ndryshme të cilët funksionojnë në veri të vendit, do të dorëzojnë uniformat e tyre në shenjë pakënaqësie pas suspendimit të drejtorit rajonal Nenad Gjuriq.

Në lidhje me armët dhe kartelat policore për të njëjtat nuk u tha se do të dorëzohen, kështu të paktën u pa edhe në takimin e sotëm në të cilin u njoftua dorëheqja, por u hoqën vetëm këmishat e kaltra të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com tentoi të marrë përgjigje edhe për këtë çështje por askush nuk dha ndonjë përgjigje.

Aktualisht situata në veri të Kosovës është e qetë. Zyrtarët e institucioneve të Kosovës që janë në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje ndërsa pozitat e tyre nuk dihet se si do të plotësohen.