Lajçak tregon për temat që i folën me Bislimin

Ka përfunduar takimi në Prishtinë mes emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirollsav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Pas takimit, para mediave afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës u deklarua Lajçaku, i cili tha se vizita e tij ishte e shkurtër dhe se ishte pjesë e atyre të zakonshmeve që i bën në Kosovë.

Lajçak tha se nga bsiedimet me të dyja palët, duan progres. Ai tha se kanë folur edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin serb.

“Çështja e dytë që e diskutuam ishte rregullorja e BQK-së. Disa pyetje që kishim patën përgjigje, po planifikojmë të organizojmë një takim në nivel kryenegociatorësh”- tha emisari.

Zyrtari i bllokut evropian shtoi se kanë një listë të gjatë të çështjeve që diskutuan, por siç tha ai fokusi ishte marrëveshja bazike.

“Kjo marrëvshje është më e mira që kanë pasur Kosova dhe Serbia. Pse duhet të presim, duhet të fillojmë me zbatimin e saj”- tha ai.

Lajçak tutje theksoi se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, po ashtu ishte pjesë e diskutimeve me Bislimin.

Në fund emisari i BE-së tha se i duhet të shkojë që të kapë fluturimin për në Bruksel.

Vizita e Lajçak vie një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2024 në Bruskel, për të diskutuar për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutë të vetme në vend.

Takimin në Bruksel e kishte refuzuar kryenegociatori Bislimi, i cili pati deklaruar se Lajçak me këtë ftesë “ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë”, dhe se sipas zëvendëskryeministrit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

(Shënim: Teksti është edituar në titull dhe në brendësi tek pjesa se ‘Lajçaku do të udhëtojë nga Kosova për në Beograd’, pasi i njëjti në fakt pritet të udhëtojë për në Bruksel dhe jo për në Beograd. Koha e editimit: 12:54 – 05.03.2024)