Varhelyi: Plani i Rritjes mundëson që Ballkani Perëndimor të afrohet mes vete dhe me BE-në

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, gjatë fjalimit të tij në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes dhe zhvillimit ekonomik u shpreh se ky plan ka për qëllim afrimin e këtyre vendeve mes vete dhe integrimin tyre në BE.

“Plani i rritjes nuk është më vetëm draft, nuk është vëtëm duke afruar Ballkanin Perëndimor me BE-në, por siguron edhe përfitime para se këto vende t’i bashkëngjiten unionit”- tha ai.

Varhelyi theksoi se Ballkani duhet të punojë si një rajon për potencial sa më të madh në tregti e ekonomi.

“Nuk duhet të harrojmë tregtinë e përbashkët si potencial i madh. Për momentin, nëse dëshironi të dërgoni 200 euro nga Mali i Zi në BE apo anasjelltas, humbisni 14 euro, që është shumë e madhe, me zbatim të këtij plani mund ta zbresim në më pak se 1 euro”- shtoi Varhelyi.

Sipas tij, ky plan është ndryshim i madh edhe për bizneset, por edhe për qytetarët që kanë familjarë që punojnë në BE.

“BE-ja do të jetë e gatshme të pranojë anëtar të ri dhe këta anëtarë duhet të përfshijnë gjithë Ballkanin Perëndimor, sepse deri më 2027, me Planin e Rritjes, intensitetin ekonomik, agjendën e refomave, Ballkani mund të jetë gati t’i bashkohet Bashkimit Europian”- theksoi më tej Komisioneri për zgjerim.

Ai deklaroi se është më se e qartë që marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për çdo vend që synon anëtarësimin në BE.

“Nuk do ketë arsyetime për vendet e Ballkanit që të mos jenë gati për anëtarësim deri më 2027. Por, që kjo të ndodhë duhet të punohet edhe në teren”- shtoi ai.

Më herët gjatë këtij muaji, Këshilli i BE-së miratoi Planin e Rritjes Ekonomike, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, që i dedikohet mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Planin synon përshpejtimin e reformave dhe rritjen ekonomike në rajon.

Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë grante dhe 4 miliardë kredi të buta, që do t’i japë BE-ja.

Gjatë muajve të kaluar janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup dhe Tiranë.

Në këto takime, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimi Europian.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen në Mal të Zi, Plani i Rritjes në fokus të samitit