Ambasada e Gjermanisë: Draft-statuti për Asociacionin do duhej të dërgohej në Kushtetuese para takimit të ministrave
Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës që do të mbahet më 17.05.2024.
Në përgjigjen e Ambasada e Gjermanisë në Kosovë shkruan, se vendet e QUINT-it dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.
Si rrjedhojë, sipas Ambasadës dorëzimi i draft-stautit para mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte një hap i tillë.
“Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komisionit do të ishte një hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë ngritjen e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”- shkruan në përgjigjen e Ambasadës për KALLXO.com.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde në një intervistë më 09.05.2024, thotë se nuk e ka pritur që kryeministri Albin Kurti të befasohet me qëndrimin e Gjermanisë dhe të Francës.
Rohde thekson se Kurti ka qenë në dijeni se për Gjermaninë dhe Francën dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Sipas ministres së Jashtme, kjo letër është si vazhdimësi e zotimeve të tre krerëve të shtetit, presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti.
Sipas saj, ky draft do të shërbejë për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.
“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e MPJD-së.
Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.
Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.