Kurti i drejtohet BE-së: Politikat bazojini në progresin demokratik të vendeve të rajonit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Mal të Zi, ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të zbatojë politika duke u bazuar në progresin dhe reformat që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai u shpreh se progresi që ka bërë Kosova duhet të merret parasysh.
“Në një periudhë të shënjuar nga dezinformimi dhe rritja e forcave autokratike, përkushtimi i Kosovës për vlerat demokratike shërben si dritë shprese. Teksa jemi mbledhur këtu për të diskutuar rrugën tonë drejt BE-së, progresi i Kosovës duhet të njihet dhe të merret parasysh”- ka theksuar Kurti në Kotor, më 16.05.2024.
Shefi i Qeverisë kosovare ka potencuar se ndryshimi vjen edhe nga mbështetja që BE-ja u jep vendeve që kanë bërë hapa të vërtetë në demokraci.
“Nëse BE-ja mbështet vendet që bëjnë hapa të vërtetë në demokraci dhe pluralizëm politik, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, do të jenë vetë qytetarët ata që do të ndryshojnë duke zëvendësuar elitat politike penguese. Pra, nëse ka një mesazh që dua të transmetoj në BE është ky: ‘kontrolloni gjendjen në lidhje me përparimin demokratik dhe reforma të BE-së në rajon, pastaj bazojini politikat në këto të dhëna”- theksoi më tej Kurti.
Ai po ashtu përmendi edhe progresin që ka bërë Kosovë në planin e zgjerimit.
“Për Kosovën, ky plan shihet si një hap drejt integrimit të mëtejshëm në mekanizmat europianë. Arritjet në agjendën e reformave të përbëra nga 5 fusha, me 32 reforma në 17 sektore, janë gati të përfundohen. Ky proces duhet të nxitet nga vlerat dhe meritokracia”- u shpreh Kurti.
Sa i përket Ceftas, Kurti tha se Ballkani Perëdimor duhet të kemi përfaqësim dhe trajtim të barabartë.
Nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, sot, më 16.05.2024, në Kotorr të Malit të Zi nis punimet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Gjatë muajve të kaluar janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup dhe Tiranë.
Në këto takime, liderët dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimi Europian.