Lajçak takim me përfaqësuesit e opozitës serbe, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e opozitës serbe.

Takimi është mbajtur sonte më 26.02.2024 në Bruksel.

Lajçak thotë se në takim kanë folur për situatën në Serbi, por edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi, sipas tij, kjo çështje është “e interesit kombëtar”.

“Mirëprita sot në Bruksel përfaqësuesit e opozitës serbe. Dëgjova me vëmendje vlerësimin e tyre për situatën në Serbi dhe i përditësova në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. E mirëprita interesimin e tyre, pasi dialogu është çështje e interesit kombëtar”- ka shkruar Lajçak në platformën X.

Kosova dhe Serbia pritet të kenë një përballje në Bruksel më 27.02.2024 për çështjen e dinarit serb.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka konfirmuar për KALLXO.com që do të marrë pjesë në takimin që do mbahet më 27.02.2024 në Bruksel për çështjen e dinarit.

“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”- njofton Banka Qendrore.

BQK-ja shtoi se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 01.02.2024.

Kjo Rregullore parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme.

Bashkimi Europian po kërkon që çështja e ndalimit të dinarit serb të zgjidhet përmes dialogut. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, para mediave është shprehur se ftesa e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak përbën shkelje të parimeve, sepse sipas praktikave të mëhershme, sipas tij, “asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi pa pajtimin paraprak të të dyja palëve”.

Çështja e dinarit, Kosova mes interesit dhe pasojave nga (mos)pjesëmarrja në takimin e Brukselit