Lajçak: Pa Asociacion, nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës

Ka përfunduar takimi mes diplomatëve perëndimor dhe kryeministrit, Albin Kurti.

Para gazetarëve, të shtunën, foli i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Emisari i europian bëri thirrje për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Si kryeministër i Kosovës, Kurti e ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt BE-së. Këtu nënvizojmë nevojën për të vazhduar përpara me themelimin e Asociacionit pa vonesa. Pa këtë nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës” – deklaroi ai.

Tutje, ai tha se i shprehën ngushëllime Kurtit për policin e vrarë më 24 shkurt në Banjskë e gjithashtu, dënuan sulmin.

“Dëgjuam me kujdes pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe gjithashtu edhe shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Dua të them që sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga individë të armatosur përbën një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë. Shprehëm ngushëllimet tona tek kryeministri dhe dënuam fuqishëm sulmin e 24 shtatorit. E bëmë shumë të qartë që të gjithe autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe ne presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë dhe veprime konkrete në këtë drejtim” – ka thënë Lajçak.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes policisë dhe atij grupi janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kurse Kosova po kërkon ekstradimin të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që mbajt më 15 shtator, e që në agjendë kishte zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në një konferencë për media pati deklaruar se ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Kurse sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.

Nga vitit 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Më 18 mars të këtij viti, në Ohër palët ishin dakorduar për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.