Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak deklarohet pas takimeve më Bislimin e Petkoviqin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka folur për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka njoftuar se kanë diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut.

“Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtendosjen e situatës në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”- ka thënë ai.

 

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.

Ai tha se plani i BE-së që u është dërguar palëve është selektiv dhe u kushton vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë.

Ndërsa, shtoi se është për t’u habitur që Bashkimi Evropian nuk ka filluar procedurat për largim të masave ndaj Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bratisllavës.

Takim i sotëm vjen pas dakordimit të javës së kaluar të cilin e arriti zëvendëskryeministri Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bratisllavë të Sllovakisë për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

Dakordimi nënkupton zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarët e komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.