Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com
Kuvendi s'ka kuorum në votimin e marrëveshjes për linjën hekurudhore, PDK s’merr pjesë në votim
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të sigurojë votat e mjaftueshme që të miratojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Marrëveshja nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk do të marrë pjesë në votim.
“Republika e Kosovës tashmë është nën sanksione si nga Bashkimi Europian po ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vështirësimi dhe rritja e këtyre sanksioneve paralajmërohet që vetëm sa do të zgjerohen dhe nuk do të zvogëlohen, prandaj votimi i një marrëveshje të tillë vërtetë do të jetë paradoksale sepse nuk do të arrijë të realizohet si votuam dhe si nuk e votuam” – deklaroi Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar i PDK-së.
Tahiri tha se nuk ka kuptim të merret pjesë në votim dhe t’i mundësohet kalimi i kësaj marrëveshje, pasi sipas tij, edhe nëse kalon nuk do të realizohet për shkak të masave ndaj Kosovës.
“Asnjëherë Kosova që nga pavarësia nuk e ka përjetuar një gjendje të tillë, kështu që nuk ka kurrfarë kuptimi që të merret pjesë në votim dhe t’i mundësohet kalimi i kësaj marrëveshje kur edhe nëse kalon kjo nuk do të realizohet për sa do të jemi të sanksionuar nën masa” – theksoi Tahiri.
Qëndrim ndryshe nga PDK-ja, pati Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila i dha mbështetje kësaj marrëveshje.
“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare. Ky projekt ka shtatë ose tetë vite që ka nisë të realizohet, më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit së paku në pjesën e financimit. Kjo linjë hekurudhore e bën pjesë Kosovën pjesë të rrjetit rajonal dhe më gjerë të hekurudhave prandaj ne e mbështesim” – tha Avdullah Hoti, deputet i LDK-së.
Për këtë marrëveshje, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se projekti për rehabilitimin hekurudhor është ndarë në tri faza.
“Projekti është i ndarë në tri faza. Faza e parë është nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, faza e dytë nga Fush Kosova në Mitrovicë dhe faza e tretë është nga Mitrovica në Leshak dhe përfshinë renovimin e binarëve, riparimin e tuneleve, urave dhe instalimin e pajisjeve të telekomunikacionit. Përfitues i projektit është ndërmarrja publike “Infrakos””- shpjegoi Murati.
Ministri theksoi se marrëveshja është në vlerë prej 38 milionë eurosh të cilat kanë qenë të zotuara nga Banka Investive Europiane.
“Ky projekt bashkëfinancohet nga Banka Investive Europiane dhe BERZH-i përmes kredive si dhe nga korniza investive për Ballkanin Perëndimor përmes granteve, pra përmes grantit në këtë projekt është 50%. Marrëveshja është në vlerë prej 38 milionë eurosh të cilat kanë qenë të zotuara nga Banka Investive Europiane”- deklaroi Murati.
Pasi u hodh në votim, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi se nuk ka kuorum për votimin e ujdisë pasi sipas tij, një pjesë e deputetëve nga 82, nuk po voton, teksa shtoi se votimi bartet për një seancë të re.
“Nuk kemi kuorum për votimin e kësaj marrëveshje, një pjesë e deputetëve nga 82 nuk po voton, prandaj vetëm 72 vota i kemi, nuk është e mjaftueshme për miratimin e marrëveshjes ndërkombëtare prandaj kjo i bartet një seance të re”- deklaroi kryeparlamentari.