Kuvendi pa kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të hedhur në votim nëntë marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë qenë sot në rend të ditës.

Për votimin e tyre duhet se paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit (80), ndërsa sot të pranishëm në sallë kanë qenë 68 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se për votimin e tyre duhet mobilizim mes grupeve parlamentare, e sipas tij sot nuk janë arritur bisedime të tilla.

“Vetëm 68 deputetë jemi, kështu që nuk kemi mundësi të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk po shoh as mobilizim mes grupeve parlamentare që kanë bërë ndonjë marrëveshje se si të votohen këto. Siç po e shoh prej gjendjes faktike nuk janë arritur këto bisedime. Prandaj i kalojmë të gjitha këto pika”- tha ai.

Përveç tetë marrëveshjeve që kanë qenë të caktuara paraprakisht për t`u shqyrtuar sot, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rendin e ditës së seancës së sotme të shtohet si pikë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Europa Digjitale 2021-2027”, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

LVV e ndryshon rendin e ditës me pikën për Projektin “Europa Digjitale”, opozita e kundërshton

Një propozim të tillë e kanë kundërshtuar deputetët nga partitë opozitare duke e konsideruar të panevojshme një gjë të tillë në kohën kur “Kosova është ende nën masat e BE-së”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës nuk patën marrë pjesë në votim pasi sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, u pat kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive.