Foto: Islam Berisha, KALLXO.com

LVV e ndryshon rendin e ditës me pikën për Projektin “Europa Digjitale”, opozita e kundërshton

Lëvizja Vetëvendojse ka kërkuar që në rendin e ditës së seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, të shtohet si pikë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Europian “Europa Digjitale 2021-2027”, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Një propozim të tillë e kanë kundërshtuar deputetët nga partitë opozitare duke e konsideruar të panevojshme një gjë të tillë në kohën kur “Kosova është ende nën masat e BE-së”.

Kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se propozimi i LVV-së është i palogjikshëm dhe joefektiv, duke shtuar se marrëveshja nuk do të zbatohet për shkak të masave të BE-së.

“Propozimi për plotësimin e rendit të ditës është i palogjikshëm sepse i kemi në rend dite hiç më pak se 50 pika. Është e panevojshme sepse do të jetë joefektive. Ju e dini se Kosova është ende nën masa të BE-së, dhe kot e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje kur kjo nuk ka për t’u zbatuar. Për ne është e paarsyeshme, e panevojshme e palogjikshme që kjo të hyjë në procedurë të përshpejtuar për t’u trajtuar në seancë dhe ne do votojmë kundër”- tha Gashi.

I  të njëjtit mendim ishte edhe kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili theksoi se LVV-ja duhet të fokusohet që masat e BE-së të largohen sa më parë.

“Projekti ‘Europa digjitale’ është shumë i rëndësishëm dhe do ishim me fat nëse si Kosovë do merrnim pjesë në këtë projekt. Miratimi i kësaj marrëveshje sot është mëse i kot sepse Kosova ka sanksione dhe është e përjashtuar pikërisht edhe nga ky projekt. Andaj unë nuk e di se përse duhet me dalë në votim sot kjo marrëveshje kur Kosova nuk mund të jetë pjesë e projektit. Pra ju si mazhorancë është mirë të fokusoheni që këto sanksione të largohen sa më parë. Atëherë do të mund të implementohet ky projekt. Votimi është i kot, nuk ka vlerë, koncentorohuni në heqjen e sanksioneve”- u shpreh Tahiri.

Kurse, Mimoza Kusari- Lila nga LVV-ja tha se seicili deputet e ka në llogarinë zyrare në postën elektronike materialin për marrëveshjen “Europa Digjitale”, duke shtuar se në parim diskutimi për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë që të ketë konsensus që të njëjtat të mbështeten.

“Në parim diskutimi për mbështetjen e marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë që ne bashkërisht të kemi konsensus, që 80 deputetë t’i mbështesim. Andaj e konsiderojmë praktike dhe tepër të rëndësishme me marrëveshjet tjera … Si praktikë, materiali shpërndahet nga administrata, derisa deputetët e kanë pranuar materialin kur është miratuar në Qeveri. Secili deputet që ka një postë zyrtare elektronike e ka në llogarinë e vet materialin për marrëveshjen ‘Europa digjitale 2021 – 2027’, andaj ju bëj thirrje që duke marrë parasysh rëndësinë e marrëveshjes, që ta mbështesin atë sot”- tha Kusari- Lila.

Programi për marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovs dhe BE-së “Europa Digjitale për periudhën 2021-2027” u fut si pikë e 12-të e rendit të ditës, me 61 vota për, 29 kundër dhe asnjë abstenim.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës nuk patën marrë pjesë në votim pasi sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, u pat kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave (80) të cilat, Qeveria Kurti e ka pasur të vështirë t’i mbledhë për disa muaj, deri në arritjen e konsesusit me AAK-në pasi LDK-ja ishte deklaruar se është pro marrëveshjeve.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare