Kuvendi miraton në parim projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes dhe dy projektligje për FSK-në

Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligji për FSK-në dhe projektligj për Ministrinë e Mbrojtjes, janë miratuar në parim pasi morën votën pro nga shumica e deputetëve të Kuvendit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për projektligjin për shërbim në FSK ka thënë se shqyrtimi dhe miratimi i këtij projektligji është i nevojshëm për krijimin e bazës ligjore për të drejtat dhe obligimet për pjesëtarët e FSK.

Sipas memorandumit shpjegues ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës. Pra, sipas këtij ligji përcaktohet shërbimi i pjesëtarit të FSK-së sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj në përmbushje të kompetencave dhe detyrave kushtetuese dhe ligjore.

Në parim, ky projektligj ka marrë 80 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka marrë 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputeti i PDK-së Hysen Berisha ka kërkuar nga ministri Mehaj të kërkoj më shumë buxhet për FSK-në.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, sipas këtij ligji Forca e Sigurisë së Kosovës, mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes e ka marrë mbështetjen e 76 deputetëve për t`u miratuar në parim.

Edhe për këtë projektligj të gjithë deputetët votuan pro.

Sipas memorandumit shpjegues, projektligji për ministrinë e Mbrojtjes, ka rregulluar kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes.

Po ashtu, ky ligj ka rregulluar edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil.

Pra, sipas këtij ligji Ministria e Mbrojtjes është organ i administratës shtetërore i përberë nga personeli ushtarak dhe civil dhe se strukturat apo njësit e Ministrisë së Mbrojtjes janë të gërshetuara në te gjitha rastet, ku disa udhëhiqen nga personeli ushtarak dhe disa nga personeli civil, por që të gjitha strukturat kanë personel civil dhe ushtarak.