Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, Foto: Kuvendi i Kosovës-Facebook

Kuvendi i kërkon IKShPK-së testimin e stafit për COVID-19

Heqja e masave të izolimit dhe mosrespektimi i rekomandimeve shëndetësore të institucioneve përkatëse, nga ana e  qytetarëve ka bërë që të rritet numri i rasteve të konfirmuara si edhe të hospitalizuarve me COVID-19 në Kosovë.

Përhapjes së coronavirusit nuk i kanë shpëtuar as institucionet e vendit, përfshirë Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamnetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi të dielën bëri të ditur se ai dhe familja e tij kanë rezultuar pozitivë me coronavirus, përderisa se është infektuar nga virusi e konfirmoi edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Si rrjedhojë, kryesia ka shtyrë takimin e paralajmëruar për të hënën, si dhe disa komisione parlamentare nuk mbajtën takimet e thirrura.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi e ka konfirmuar për KALLXO.com se i kanë kërkuar IKShPK-së të shqyrtojë mundësinë për testimin e stafit të legjislativit për coronavirus.

Krasniqi shtoi se tashmë varet prej institutit se si do të vendosë. Sekretari ka bërë të ditur se vetë ai është në izolim pasi ka dalë pozitiv me coronavirus.

Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në Kosovë, me rekomandim të institucioneve shëndetësore për respektim të masave, ka mbajtur mbledhje dhe seanca plenare.

Në shumë rej tyre, nuk janë zbatuar rekomandimet, pasi deputetët nuk kanë vendosur maska dhe nuk kanë mbajtur distancë fizike mes vete.

Legjislativi ishte mbledhur edhe në fillim të pandemisë më 25 mars 2020 në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën u rrëzua Qeveria në krye me Albin Kurtin përmes një mocioni të mosbesimit.

Në seancën plenare të 23 qershorit, Vjosa Osmani u kishte bërë apel deputetëve që të mbanin distancë fizike.

“Ju lus me mirësi kolegë që të mbani distancë dhe t’i respektojmë rregullat e Institutit (të Shëndetit Publik). Së paku për hir të të gjithë pacientëve të infektuar dhe mjekëve që po përballen me situatën e vështirë. Hapësirë ka, arsyeja pse disa prej kolegëve tanë janë ulur lartë është arsyeja që të mbahet distanca”, ishte shprehur Osmani.

Në seancën e javës së kaluar, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku ka kritiktuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn që nuk u ka dhënë vërejtje deputetëve për moszbatim të rekomandimeve kundër përhapjes së COVID-19.

Deputetja kritikoi edhe deputetët që sipas saj në seancë nuk po i respektojnë rekomandimet.

“Se di a u frikësu [Armend Zemaj] nga ky ambient tmerrues këtu. Jo që nuk ka distancë, por që pjesa dërmuese në mëngjes i kanë pasur maskat por Covid-i zbutet nga mbrëmja. Kështu që ministri së paku të ishte në vend të detyrës dhe të merrte fjalën e një vërejtje me i jep këtij Kuvendi”, tha ajo.

Ndërkaq, ministri Armend Zemaj u bëri thirrje deputetëve që të respektojnë masat pasi janë obligative.

Edhe drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, më 19 qershor, kritikoi deputetët për mos respektim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19

“Ky vend nuk i plotëson kushtet me u mbajt mbledhjet, janë pa maska njerëzit”, tha ai.

Por përkundër kësaj mbledhja e komisionit është mbajtur dhe për rreth dy orë ka raportuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në vend janë konfirmuar 2,677 raste pozitive me coronavirus.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të izolimit të plotë nëse vazhdojnë të rriten rastet me COVID-19 dhe nëse nuk respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar Hoti mes tjerash në Facebook.