Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila e arsyeton politizimin e bordit të AKP-së

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Mimoza Kusari-Lila e ka arsyetuar listën me emrat e propozuar për anëtarë të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Deputetja e cila vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka mohuar se ka politizim në këtë bord, ndonëse dje KALLXO.com ka raportuar se katër emra të personave të propozuar për anëtarë, kanë ose kanë pasur lidhje me disa parti politike.

“Sa i përket politizimit apo tendencës siç po thuhet të kapjes së bordit të AKP-së absolutisht nuk qëndrojnë, veç për një fakt, sepse ky bord do të bëjë transformim të politikave të subjektit i cili ka fituar zgjedhjet me atë program. Rrjedhimisht duhet të jenë të gjithë ekspertë të fushës dhe njerëz që e kuptojnë atë koncept, prandaj është gjithashtu në diskrecion të qeverisë të dërgojë këta emra të cilat janë në përputhshmëri me ligjin me profesionalizëm të lartë, me kuotë gjinore”, tha ajo sot në mbledhjen e Komisionit.

Sipas Kusari-Lilës, “profesionalizmi dhe përgatitja akademike e gjithë anëtarëve, është ndoshta ndër më të mirat që kemi pasur në raport me bordet deri më tash”.

KALLXO.com dje ka raportuar për katër emrat e propozuar për anëtarë të bordit të AKP-së që kanë ose kanë pasur lidhje me parti politike.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka bërë sot shqyrtimin e propozimit të vendimit të Qeverisë, për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala (PDK) konstatoi se me shumicë votash ky komision ka miratuar listën e propozuar e cila tashmë i procedohet Kuvendit të Kosovës për votim.

Qeveria i propozon tetë emra Kuvendit për bordin e AKP-së