Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bashkësinë Islame të Kosovë për festën e Fitër Bajramit, Foto: ZKM
Kurti viziton BIK-un për Bajram, përkujton imamët e rënë gjatë luftës në Kosovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka vizituar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavën për t’i uruar besimtarët për Festën e Fitër Bajramit.
Përveç kryeministrit Kurti, në takimin me myftiun Tërnava morën pjesë edhe krerët e ministrive, si ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ajo e e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka theksuar se muaji i Ramazanit, është muaj i sakrificës dhe i solidaritetit, e këto të fundit sipas tij, janë mirësi që sjellin mbarësi.
Me këtë rast, ai e ka falënderuar myftiun Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin e BIK-ut.
“Të gjithë qytetarëve ju dëshiroj Bajram të gëzuar, në paqe dhe në begati, me shëndet dhe me dashuri. E falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Naim Tërnava, për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin. Muaji i Ramazanit, ishte muaj i sakrificës edhe i solidaritetit dhe të gjithë e dimë nga përvoja dhe historia se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Si përfundim, Kurti teksa ka përkujtuar përvjetorin e masakrave të kryera në luftën e fundit në Kosovë, ka përkujtuar edhe një numër hoxhallarësh të cilët ishin dëshmorë.
“Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë, në vendin tonë, por njëkohësisht edhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë, të cilët janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit. Lavdi të gjithë atyre. Edhe një herë gëzuar Fitër Bajramin për jetë e mot dhe ju uroj një ditë të hareshme sot” – është shprehur kryeministri Kurti.
Përveç kryeministrit Kurti, Bashkësia Islame gjatë ditës u vizitua nga krerët tjerë shtetëror, kryekuvendari Glauk Konjufca, ata të opozitës, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, kryetari i Prishtinës Përparim Rama etj.
Derisa, festen e Fitër Bajramit e uruan edhe ambasadat e misione tjera diplomatike në Kosovë.
Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës më 10.04.2024 është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Myftiu Naim Tërnava ka folur pas faljes së Fitër Bajramit. Ai e ka nisur fjalimin e tij për familjen e shëndoshë duke u lutur që mes veti të ketë harmoni, shëndet dhe paqe.