Foto: ZKM

Kurti takohet me kryeministren e Estonisë, diskutojnë për situatën politike në vend dhe rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, pas ceremonisë hapëse të Samitit Global të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

Në këtë takim dypalësh, sipas një komunikate për media, është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet.

“Krahas anëtarësimit të Kosovës në OGP, rolin e saj në këtë organizatë dhe kontributit që synon ta japë, në këtë takim dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat e bashkëpunimit dhe sfidat e përbashkëta që dy rajonet kanë me fqinjët autoritarë e agresivë, përkatësisht Serbinë dhe Rusinë”- thuhet në komunikatë.

Në kumtesë është bërë e ditur se Kurti ka njoftuar homologen estoneze për situatën aktuale në vendin, progresin e gjithmbarshëm, arritjen kryesore të qeverisjes dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe digjitalizimit.

“Ai e falënderoi kryeministren Kallas për mbështetjen, bashkëpunimin dhe partneritetin e Estonisë. Në këtë takim, ai ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti”- thuhet tutje në komunikatë.

Kosova në organizatën ndërkombëtare Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership), u anëtarësua në muajin gusht.

Kurti udhëton për në Estoni