Kurti: Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman, ne e konsiderojmë si bazë të mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një deklarim për media, pas takimit më kryetarët e komunave, Kurti tha se është “një Serbi gjithnjë e më  abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që porsa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm të Serbisë’.

“Planin e BE-së i mbështetur nga Franca e Gjermania  dhe SHBA-të e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në Beograd më 27 tetor”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se njohja reciproke do të jetë në qendër të marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të dialogut.

“Ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të merren të gjithë me ta ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të bëhen me një marrëveshje me njohjen reciproke në qendër. Njohjen reciproke e ka kërkuar edhe kancelari gjerman”, tha Kurti.

Përmbajtja e planit franko-gjerman është duke u mbajtur e fshehët nga autoritetet kosovare dhe ato të Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues të dialogut Kosovë-Serbi.

Propozimi franko – gjerman është përmendur për herë të parë më 8 tetor, nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas presidentit serb Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Plani franko-gjerman ose i Bashkimit Evropian, çka dihet deri tani?