Plani franko-gjerman ose i Bashkimit Evropian, çka dihet deri tani?

Po bëhen dy muaj që kur dialogut Kosovë-Serbi iu shtua edhe një propozim i ri, ai franko-gjerman i cili ditëve të fundit ka filluar të quhet edhe propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Përmbajtja e këtij propozimi është mbajtur e fshehët, ndërsa dje emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbia ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti një version të draftit.

Besnik Bislimi i cili mbanë portofolin e dialogut, tha që përmbajta e këtij plani do të jetë konfidenciale sepse ka një dakordim mes palëve.

“Diskutimi për planin franko-gjerman, ka qenë tet a-tet, dakordimi nuk ka qenë që diskutimi të jetë i mbyllur, por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale, është kërkesë eksplicite që kjo nuk duhet të bëhet në publik. Nëse doni më shume informata duhet ta thirrni kryeministrin sepse ai ka qenë në takim ku është arritur dakordimi”- tha Bislimi në raportimin e tij para Komisionit për Punë të Jashtme.

Ndonëse Bislimi tha që versioni i pranuar dje nuk është final, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian, Josep Borrell tha që ky është propozimi i fundit.

“Ky është një moment i rëndësishëm, mosmarrëveshja për targat ka përfunduar tashmë duhet të angazhohen në mirëfilljen në dialog me propozimin që është hedhur në tryezë me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës dhe i fundit i është dërguar dje edhe Beogradit dhe Kosovës dhe tashmë janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze sepse është një moment kur ka një mundësi të madhe” – ka thënë Borrell dje në Tiranë.

Edhe Borrell refuzoi të ndajë detaje nga përmbajta e këtij plani.

“Nuk e ndaj dot përmbajtjen e dokumentit për dialogun Prishtinë- Beograd. Nuk mendoj se duhet të vendosim afate artificiale është e rëndësishme të punojmë, nuk është e rëndësishme të caktojmë një datë por të punohet me shpejtësi” – ka theksuar ai.

Përmbajtje e versionit të djeshëm nuk është diskutuar fare, mirëpo nga versioni i parë pak nga përmbajta është bërë publike.

Propozimi franko – gjerman është përmendur më 8 tetor, nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas presidentit serb Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”- ka thënë Vuçiq duke shtuar se ky propozim është i papranueshëm për palën serbe.

Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekzistojnë ide, por nuk komentoi më tutje.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”- tha Kurti duke shtuar për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë.

Ndonëse pati pakëz komente në tetor, në nëntor kryeministri Kurti u bë më i zëshëm kur në takimin e 21 nëntorit, kur sipas tij Borrell largoi nga agjenda e diskutimit këtë plan.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj, andaj unë si kryeministër dhe Kosova si Republikë, jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë një orë e më parë” – ka thënë Kurti më 23 nëntor.

Më së shumti detaje mbi këtë përmbajte ka treguar kryepalamentari Glauk Konjufca.

“Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo, nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i kemi vërejtjet tona, po nëse ai është fruti e ka një bërthamë, e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellë Kosova me Serbinë”- ka thënë Konjufca.

“Propozimi ndërtohet mbi tri principe. E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi reciprok i sovranitetit dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur i gatshëm të takohet në Bruksel me presidentin Aleksandar Vuçiq për negociuar marrëveshjen finale.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se janë duke i bërë përgatitjet për një takim të radhës.

Që nga marrja e mandatit, Kurti ka zhvilluar 4 takime të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, proces ky i cili ka filluar nga viti 2011.