Foto: ZKM

Kurti ia uron qytetarëve 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kanë bërë ngritjen solemne të flamurit të Republikës së Kosovë nën intonimin e himnit shtetëror.

Kryeministri i Kurti, uroi të gjithë qytetarët e vendit për Ditën e Pavarësisë.

Në fjalën e tij para mediave, ai tha se teksa festohet nuk ka si të mos kujtohen ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.

“Andaj, nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë, ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes të popullit tonë në Prekaz, pra tek Kompleksi Adem Jashari dhe më pastaj te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi”, citohet të ketë thënë Kurti në komunikatën për media të qeverisë.

Teksa kujtoi të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan e që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë, Kurti është shprehur falënderues ndaj të gjithëve dhe mirënjohës përjetë.

Kryeministri Kurti gjatë ditës do të merr pjesë edhe në vendosjen e kurorave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe në aktivitete të tjera në shënim të kësaj dite.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se vet fakti që kjo ditë po fillon me ngritjen e flamurit të shtetit tonë, është një simbolikë që tregon se shteti ynë do të qëndrojë lart dhe i paepur përgjithmonë.

“Sot këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë do të shënojmë me aktivitete të shumta, ashtu siç e meriton ajo, prandaj shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ua uroj Ditën e Pavarësisë”, citohet të ketë thënë Konjufca në komunikatën për media të Kuvendit

Sot në Kosovë festohet 14-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për nder të kësaj dite Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të bëjnë parakalimin në sheshin “Zahir Pajaziti”.