Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kurti flet për draft-statutin e Asociacionit: I pakrahasueshëm me të tjerët sepse tregon ku zbatohet
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dallimi kryesor i draft-statutit të fundit të Asociacionit nga ata paraprakë është te themeli se ku ky draft beson se do të zbatohet.
Prandaj, sipas Kurtit, ky draft është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku thotë se nuk kishte barazi midis palëve.
“Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft më 24 tetor, meqenëse natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj” – tha Kurti në një intervistë për ATV.
Në këtë intervistë, Kurti foli edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve, për të cilën në vazhdimësi ka fajësuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se i vjen keq që u humb shansi për të nënshkruar më 26 tetor në Bruksel, që tha se u bë për shkak të dekonstruktiviteti të palës serbe, e cila siç thotë Kurti nuk ka pranuar të nënshkruajë dhe ka insistuar në një letër anësore shtesë, ku kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës dhe ulëses në OKB për Kosovën ia ka shtuar edhe mosrespektimin e integritetit territorial. Për këtë, kryeministri tha se është është për t’u gjykuar nga të gjithë.
Sipas tij, vetëm nënshkrimi është garanci për pranim të marrëveshjeve që më pas dhe zbatohen.
Kryeministri Kurti shtoi se për t’u eliminuar shkeljet e kaluara të Serbisë dhe për të parandaluar shkeljet e ardhshme është e rëndësishme që të nënshkruajnë paketën e përbërë nga marrëveshja bazike, aneksi i zbatimi dhe draft-statuti përkundër kritikave të tij, meqenëse siç tha ai, situata është urgjente në Europë, pas luftërave Ukrainë-Rusi dhe Izrael-Hamas.
Kurti shtoi se marrëveshja bazike është njohje de-facto për Kosovën, por që tha se po shkelet nga Serbia.
“Nuk më përket e vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur. Nëse marrëveshja është valide, e patjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkel do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi Serbia më 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës apo edhe atëherë kur po bënë sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator” – shtoi ai.
Ndër të tjera, Kurti tha se për rieskalimin e situatës me Serbinë, të gjithë faktorët ndërkombëtarë po pajtohen se jo vetëm që Kosova nuk ka faj, por faji është te Beogradi.
“Beogradi i cili ka mbështetur logjistikisht, financiarisht, ushtarakisht edhe me armatim edhe me trajnime luftarake grupin terrorist të Millan Radoiçiqit, i cili ishte vetëm disa orë në burg ose stacion të policisë para se të lirohej dhe sot të jetë sikur çdo qytetar tjetër i Serbisë, që është e patolerueshme për neve, e besoj që të jetë edhe për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha më tej Albin Kurti.
Kjo intervistë me Kurtin është realizuar më 11 nëntor, pas përfundimit të Forumit të Paqes të mbajtur në Paris, ku mori pjesë edhe ai.
Atë ditë, ai ishte takuar edhe me ndihmës-sekretarin amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
Kurti tregoi se me të ka diskutuar se si duhet ndihmuar Kosova për të avancuar edhe në aspektin e njohjeve ndërkombëtare e të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë.