Foto: ZKM

Kurti e Rizvanolli vizitojnë termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B", premtojnë modernizimin dhe rehabilitimin e tyre

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar sot (31.12.2025) gjatë ditës termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, ku janë pritur nga menaxhmenti dhe punëtorë të KEK-ut.

Kryeministri Kurti në këtë vizitë ka falënderuar bordin, menaxhmentin dhe gjithë punëtorët e KEK-ut për punën e tyre që e bëjnë në shërbim të qytetarëve, të bizneseve, të industrisë e të prodhimtarisë dhe njëkohësisht në shërbim të sigurisë së përgjithshme.

“Ai përgëzoi për investimet e bëra deri tani dhe u zotua që bashkë të kemi edhe modernizim të Termocentralit “Kosova B””, edhe rehabilitim të Termocentralit “Kosova A”,  me ç ‘rast do të kemi edhe kapacitet të shtuara, sa i përket gjenerimit të energjisë”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ministrja Artane Rizvanolli ka theksuar se këtë vit KEK ka realizuar investimin më të madh në 40 vitet e fundit në KEK dhe në sektorin e energjisë duke modernizuar turbinën në bllokun “B2” dhe duke bërë edhe investime të tjera në këtë bllok.

“Më tej, ajo potencoi se i njëjti investim vitin e ardhshëm pritet të bëhet edhe në njësinë B1, bashkë me vendosjen e filterëve që do ta ulin ndotjen ndjeshëm. Ministrja veçoi një hap të rëndësishëm që është bërë këtë vit i cili lidhet me fillimin e kontraktimit për rehabilitimin e thellë të njësisë A3 në vlerë 137 milionë euro”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Rizvanolli përmendi edhe projektin Solar4Kosova, i cili financohet pjesërisht prej BE-së, duke theksuar që tashmë është në proces prokurimi.