Ilustrim

Kultivimi dhe prodhimi i kanabisit, paraburgim për kandidatin për asamble të LVV-së në Novobërdë dhe dy të tjerët

Rinas Zeqirit, Rinor Ahmetit e Ardit Sylejmanit, Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur që t’u shqiptojë vendimin për masën e paraburgimit për 30 ditë në lidhje me veprën penale të kultivimit dhe prodhimit të drogës.

Gjykata ka njoftuar se ka pranuar kërkesën nga Prokuroria e Gjilanit në lidhje me rastin e zbulimit të plantacionit të drogës për të cilin janë arrestuar tre persona në mesin e tyre edhe Rinas Zeqiri, i cili ishte prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Novobërdë si asamblist për zgjedhjet që do të mbahen më 12.10.2025.

Sipas Prokurorisë, me datë 23.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Vërbicë e Zhegovcit të Komunës së Gjilanit, të pandehurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, në atë mënyrë që pasi që zyrtarët policor në Gjilan marrin informacion se në këtë fshat mund të ketë të mbjella bimë narkotike të llojit “Kanabis Sativa” shkojnë tek shtëpia e të pandehurit Ardit Sylejmani me ç’rast me rastin e kontrollit në oborrin e shtëpisë, në brendësi të serave të ndërtuara, gjejnë të kultivuara 496 bimë të këtij lloji, me gjatësi dy metra, në këtë mënyrë të pandehurit me qëllim të prodhimit të narkotikëve.

Sipas njoftimit, Sylejmani, Ahmeti e Zeqiri, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

E përvec veprës penale të kultivimit të narkotikëve, për Ardit Sylejmanin prokuroria ka edhe një vepër tjetër atë të armëmbajtje pa leje.

Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kriteret që ndaj të njëjtëve të merret vendimi për paraburgim duke i shtuar këtu edhe faktin se sipas vendimit Rinor Ahmeti në momentin kur e ka kuptuar se zyrtarët policor kanë arritur në vend ngjarje, i njëjti ka tentuar të ikë, por ishte arrestuar.

E gjykata ka vendosur se nëse të njëjtit lihen në liri mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në njëri-tjetrin.

“Po ashtu, duke marr parasysh rrethanat se ndaj të pandehurve evidentohen disa raste për vepra tjera penale, rrethanat këto të mjaftueshme për të besuar se nëse të pandehurit lihen në liri të njëjtit mund të përsërisin veprën penale”- thuhet në vendim.

Në lidhje me arrestimin e Rinas Zeqirit, KALLXO.com raportoi edhe gjatë ditës së djeshme (25.08.2025).

Kryetari i LVV-së në Novobërdë, Abdyl Gashi, ka premtuar se Rinas Zeqiri do të largohet nga lista e kandidatëve për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pas arrestimit të tij nga Policia në lidhje me kultivimin e rreth 500 bimëve kanabis në fshatin Zhegoc i Epërm të Gjilanit.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e degës së LVV-së në Novobërdë, Abdyl Gashin, në lidhje me Rinas Zeqirin, të cilin fillimisht në rrjete sociale e promovoi si kandidat për Asamble për Komunën e Novobërdës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Abdyl Gashi, i cili i prin listës në Novobërdë, tha se anëtari i tyre nuk do të jetë pjesë e listës së LVV-së në zgjedhjet e tetorit.

LVV në Novobërdë premton se do ta largojë nga lista e kandidatëve për Asamble të arrestuarin për drogë