
Kryetari i Zubin Potokut publikon mesazhin e një personi që e quajti ‘kryetar i rrejshëm’
26.7.2023 - 23:11
Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se ka marrë një mesazh në Facebook në gjuhën serbe nga dikush që e ka quajtur “kryetar i rrejshëm”.
Në mesazhin që ka publikuar Zeqiri shkruan “Mirëdita zotëri kryetar i rrejshëm, deri kur do të luani këtë çmenduri me 2 për qind të votave?”.
Mesazhi është dërguar nga një profil me emrin Marko Periq.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, kryetar i ri i Zubin Potokut u zgjodh Izmir Zeqiri nga PDK.
Zeqiri prej marrjes së mandatit është duke e drejtuar Komunën nga objektet alternative.
Zyra për komunitet në Zubin Potok, e cila ndodhet në fshatin Qabër, është duke u shfrytëzuar si zyrë e punës nga Izmir Zeqiri.